Bashkimi Evropian do të investojë edhe 200 milionë euro në Grenlandë gjatë dy viteve të ardhshme, me synim forcimin e lidhjeve ekonomike dhe zhvillimin e sektorëve të energjisë, teknologjisë dhe nxjerrjes sënxjerrjes së mineraleve.
Lajmin e bëri të ditur të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj zyrtare në Nuuk.
Von der Leyen tha se Arktiku është shndërruar në një nga zonat ku përplasen interesat gjeopolitike dhe se Bashkimi Evropian ka interes të drejtpërdrejtë për zhvillimet në këtë rajon.
Paketa e re financiare synon të rrisë praninë e BE-së në Grenlandë, territor autonom që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe që prej kohësh është në fokusin e presidentit amerikan Donald Trump.
Trump ka shprehur vazhdimisht ambicien për marrjen e kontrollit mbi Grenlandën, duke shkaktuar tensione me Danimarkën dhe aleatët evropianë. Në janar, ai kishte kërcënuar me tarifa të larta ndaj Danimarkës për ta shtyrë atë të heqë dorë nga territori, ndërsa në korrik e riktheu publikisht çështjen e aneksimit të ishullit.
Gjatë vizitës në Nuuk, von der Leyen theksoi mbështetjen e BE-së për Grenlandën dhe Danimarkën, duke deklaruar se e ardhmja e territorit duhet të vendoset vetëm nga populli i Grenlandës dhe Danimarka.
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, dhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, e falënderuan von der Leyen për mbështetjen.
Investimi prej 200 milionë eurosh do të përqendrohet në tri fusha kryesore: lidhjet digjitale, përfshirë kabllot nënujore dhe infrastrukturën satelitore; energjinë e pastër, veçanërisht hidrocentralet; si dhe nxjerrjen e qëndrueshme të mineraleve kritike.
Grenlanda ka 25 nga 34 mineralet që BE-ja i konsideron të rëndësishme për zhvillimin e energjisë së rinovueshme dhe teknologjive moderne. Një pjesë e madhe e tregut global të këtyre mineraleve dominohet nga Kina, duke e bërë BE-në të varur nga kontrollet kineze të eksportit.
Megjithatë, industria minerare në Grenlandë mbetet shumë më poshtë potencialit të saj, kryesisht për shkak të kushteve të vështira klimatike dhe kostove të larta të projekteve.
Ndërkohë, Danimarka ka bërë të ditur se është e gatshme të bashkëpunojë më ngushtë me SHBA-në dhe Evropën për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Arktik.
Përveç investimit të ri, Komisioni Evropian po punon edhe për përditësimin e strategjisë së BE-së për Arktikun dhe ka paraparë 530 milionë euro për Grenlandën në propozimin për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
(0)Comments