Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pritet të zhvillojë gjatë muajit tetor vizitën e saj vjetore në Ballkanin Perëndimor, por këtë vit agjenda mund të sjellë një ndryshim sa i përket Serbisë.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se von der Leyen do të udhëtojë drejt rajonit, ndërsa detajet e vizitës nuk janë bërë ende publike. Zëdhënësja e Komisionit, Paola Pinho, ka deklaruar se programi është ende në përgatitje dhe nuk është përcaktuar nëse presidentja do të vizitojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
Vëmendja është përqendruar te Serbia, pasi ekziston mundësia që Beogradi të mos jetë pjesë e itinerarit të këtij viti. Një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian, i cituar nga Radio Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, ka konfirmuar se një skenar i tillë nuk përjashtohet.
Vizitat e mëparshme të von der Leyen në rajon kanë përfshirë zakonisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Megjithatë, zhvillimet politike dhe qëndrimet e Beogradit mund të ndikojnë në vendimin përfundimtar të Brukselit.
Një element që mund ta bëjë veçanërisht të ndjeshme një vizitë të saj në Serbi është zhvillimi i saj vetëm pak javë pas ceremonisë së varrimit të Ratko Mlladiqit. Ish-komandanti serb i Bosnjës u dënua nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Për momentin, Komisioni Evropian nuk ka konfirmuar nëse von der Leyen do të ndalet në Beograd. Agjenda përfundimtare e turit të tetorit pritet të bëhet publike në vijim.
(0)Comments