Last Updated on 07/09/2026 by EL
Presidenti i Flamurtarit, Sinan Idrizi, u shfaq i revoltuar pas ndeshjes ndaj Besës, ku skuadra e tij barazoi me rezultatin 3 me 3, teksa nuk munguan polemikat në lidhje me vendimet e arbitrave, të cilët u bënë protagonist që në javën e parë të kampionatit.
Në një intervistë të gjatë për televizionin '6+1 Vlora', numri 1 i klubit vlonjat, deklaroi se futbolli në Shqipëri është kthyer në një luftë bandash. Idrizi ndër të tjera i bëri edhe një thirrje të drejpërdrejtë presidentit Armand Duka, për të reaguar në lidhje me situatën që po kalon futbolli shqiptar në këto javë të para të sezonit të ri.
'Kam 13 vjet kam kërkuar ligjin e sportit. Nuk bëhet! Kam kërkuar ndeshmëri në futboll. Dua të di rregullat e lojës cilat janë. Mund të bie një kategori më posht, por kurrë nuk shes fanellën e Flamurtarit. Kurrë nuk vjen dikush të më kapë nga xhaketa i ke shitur këtë Flamurtarit, i ke blërë këtë.
Por nuk kam rregulla loje, unë nuk di rregullat e lojës. Ka 3 vjet rresht ndodh e njëjta gjë. Ju kujtohet para 3 vitesh me Dinamon, na dha një penallti që nuk ekzistonte, nuk shkuam dot një kategori më lartë. Erdhën gjithë deputetët e Vlorës, bëmë mbledhje sepse u kërkova ndihmë.
Kam një hall nuk di si ta bëj. Sepse në fund farë në bazë të pikëve vendoset klasifikimi. Që ditën e parë dje, ndodhi kjo që ndodhi. E vazhduan atje ku e kishin lënë vitin e kaluar.
Atë histori kontestimesh arbitrash, tani e kaluan pak në ekstrem që javën e parë të kampionatit.
Në një moment tani ndodhem në një hall. Nga një anë menaxhoj klubin dhe nga ana tjetër nuk di se çfarë ndodh me këta që menaxhojnë garën. Na ndodhi e njëjta gjë vjet, ju e dini futbolli ai është, një penallti dhe një shtyllë. Ndeshjen e fundit me Teutën, një arbitër që tmerrësisht nuk dha një penallti të qartë që u premiua nga federata për të vazhduar arbitrimet dhe në Final 4. FSHF këta që bëjnë lapsuse i kalon në premium.
Fatkeqësisht jam detyruar të jem në një dilemë, në këtë gjendje që ndodhemi sot dhe që ndodhet futbolli shqiptar. Unë nuk jam nga këta njerëz që fshihem pas gishtit, unë jam bardh e zi.
Problemi që nuk shkon duhet të kalojë menjëherë në kirurgji. Ose Duka është pjesë e lojës të këtij sistemi, ose është jashtë lojës dhe nuk ka asnjë lloj kontrolli në këtë që ndodh.
Në të dyja rastet përgjegjësia është e tij drejtpërsërdrejti. Pres që ai urgjentiasht të thërresë Asamblenë. Pse jo dhe të votëbesohet. Është një histori që në rastet më të mëdha nuk ka përfunduar mirë. Ka ardhur koha që Duka të kërkojë shkaqet e situatë, çfarë ndodh.
Pamë ndeshjen e parë dje, ndodhi ajo që ndodhi dhe sinjali tashmë është alarmant. Para 1 viti kur u bënë zgjedhjet për FSHF-në, një kolegu im, i një skuadre tjetër, më dërgon një ftesë dhe më thotë, që të gjithë bashkë kemi vendosur të nxjerrim për kandidat Z.Armand Duka.
Unë jam nga këta i thashë që e propozoj Dukën, me idenë klasike që tashmë Z.Duka është zv.president i UEFA-s. Tashmë si një zv.president ka zbutur syrin, ka zbutur veshët, dhe të paktën nga kultura e mirqënies që ka do të ndryshojë shumë gjëra në menaxhimin e kësaj situate.
Në Shqipëri futbolli është kthyer dhe është si një luftë bandash. Nuk ke më futboll, nuk ke më rini, ke vetëm sharje, dhunë. Kemi të fortësh, grupe interesi pas të fortësh. Në momentin e parë cili është mesazhi që i japim rinisë?!
Z.Duka duhet të marrë përgjegjësitë për futbollin shqiptar. Nëse ai mendon se futbolli shqiptar është në ditët më të mira, atëherë kjo është një temë tjetër.
Është për të ardhur keq që ekipet pretendente luajnë në fusha që s'kanë asnjë parametër për të luajtur futboll. Një fushë që nuk ka as internet dhe kamera elementare për të transmetuar futboll.
Në një fushë që arbitrat bëjnë atë që nuk ka shanse në Europë të ndodh një gjë e tillë. Pikëpyetja është e thjeshtë fare. Organizatorët e garës, cili është mesazhi që këta i japin rinisë shqiptare?
Është një kampionat që ka filluar që ditët e para shumë i ashpër. Dhunë në fushë, dhunë presidentësh. Janë shkak pasojë. Dhunë tifozerie, është një gjë që nuk e di ku po shkojmë.
Rregulla loje nuk ka, secili ia hedh fajin njëri-tjetrit. Ne kemi një ministër, unë nuk e di ky ministri çfarë është. Më tregoni një rast të vetëm që Ministri i Sportit ka shkuar në stadium. Unë di që kam një Ministër Sporti që është koleksionist fanellash, bën foto të bukur dhe kaq. S'më duket normale që në një fushë ndërhyn policia për të marrë lojtarët nga fusha, në një fushë tjetër një lojtar tjetër bën grusht me tifozët. Me ne ndodhi kjo që ndodhi, një president që në të drejtën e Zotit, në një moment nuk mban dot nervat dhe përdor dhunën.
Në këtë vend a ka një gjë që duhet të bëhet? Që sot e dorëzoj Flamurtarin po ka ndonjë që me bizneset e tij, pa marrë asnjë nga asetet publike kërkon ta marrë. Po unë kam një hall, që nuk e di me këtë luftoj. Unë sot po flas me revoltë, herën tjetër do të flas me zë', përfundoi Idrizi./et
(0)Comments