I dërguari i Trump-it në Tiranë, mes Shtetit Bektashi dhe Dosjeve Epstein

I dërguari i Trump-it në Tiranë, mes Shtetit Bektashi dhe Dosjeve Epstein
View on original source
Category: Politics
Share
Archive
Like
Kush është Paolo Zampolli? Nga moda te politika, një rrugëtim plot polemika… Paolo Zampolli mbërriti në Tiranë si i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit për Partneritetet Globale dhe e nisi vizitën pikërisht te Kryegjyshata Bektashiane, ku u diskutua projekti për krijimin e të ashtuquajturit 'Shtet Bektashi'. Më pas ai zhvilloi takime me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, duke e kthyer vizitën në një mision me peshë politike, edhe pse objektivat e tij konkretë nuk u bënë të qartë. Zampolli nuk është diplomat karriere. Ai vjen nga bota e modelingut dhe biznesit dhe është prej vitesh një mik i afërt i Trumpit. Marrëdhënia e tij me familjen Trump është aq e ngushtë sa Zampolli është paraqitur prej vitesh si njeriu që prezantoi Donald Trumpin me Melania Knauss, e cila më pas u bë bashkëshortja e presidentit amerikan. Por pas këtij profili të shkëlqyer qëndron një histori shumë më e diskutueshme. Emri i Zampollit shfaqet në materialet e publikuara në kuadër të dosjeve Epstein. Ai ka pranuar se Jeffrey Epstein kishte pasur kontakte me të në kohën kur Zampolli drejtonte një agjenci modelesh, por mohon çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të financierit amerikan. Vetë Zampolli ka thënë se e dinte që Epstein 'kishte vajza', por ka mohuar që ato të kishin qenë modele të agjencisë së tij. Pikërisht kjo marrëdhënie me Epstein, e ndërthurur me botën e modelingut dhe me pretendimet për mënyrën se si u krijua lidhja Trump-Melania, ka bërë që emri i tij të rikthehet vazhdimisht në debatin rreth dosjeve Epstein. Akuzat më të rënda ndaj Zampollit vijnë nga dy gra. Amanda Ungaro, ish-modelja braziliane dhe ish-partnerja e tij prej rreth dy dekadash, e ka përshkruar marrëdhënien e tyre si të karakterizuar nga abuzime dhe dhunë. Ajo ka pretenduar gjithashtu se Zampolli ka përdorur ndikimin e tij dhe lidhjet politike kundër saj gjatë konfliktit për fëmijën që kanë së bashku. Zampolli i ka mohuar akuzat dhe e ka akuzuar atë për shpifje e tentativa për përfitim. Një tjetër akuzë shumë serioze vjen nga Victoria Drake, e cila pretendon se Zampolli e ka sulmuar seksualisht. Çështja e saj është tashmë objekt i një padie civile të depozituar në Gjykatën Federale të Nju Jorkut më 3 shtator. Raportimet mbi rastin thonë se pretendimi i Drake është shoqëruar edhe me dokumentacion mjekësor. Zampolli i mohon këto akuza dhe pretendon se ndaj tij po zhvillohet një fushatë shpifjesh. Megjithatë, rëndësia e tyre nuk mund të fshihet, sidomos kur bëhet fjalë për një person që sot vepron në emër të administratës amerikane. Edhe më shumë pikëpyetje ngre mënyra se si ai po shfaqet në Shqipëri. Zampolli kaloi nga Kryegjyshata Bektashiane te politika shqiptare, duke takuar si socialistët, ashtu edhe demokratët. Në të njëjtën kohë, Ambasada Amerikane në Tiranë nuk publikoi një njoftim të posaçëm për axhendën e tij. Kjo e bën vizitën më shumë se një takim rutinë diplomatik. Zampolli është një figurë që bashkon aksesin personal te Trumpi, biznesin, botën e modelingut dhe një histori marrëdhëniesh që tashmë është nën vëzhgim për shkak të dosjeve Epstein dhe akuzave për abuzime. Prandaj, pyetja për Shqipërinë nuk është vetëm çfarë kërkoi i dërguari i Trumpit në Tiranë. Është edhe pse një person me një profil kaq të diskutueshëm u zgjodh për të ndërmjetësuar mes Uashingtonit dhe një Shqipërie që po përpiqet t'i japë projektit të 'Shtetit Bektashi' një dimension ndërkombëtar. /tesheshi

(0)Comments

 

A note on cookies

Newshunt uses essential cookies to keep you signed in and to remember your language and country, so the site works the way you expect. With your permission, we'd also like to use analytics cookies to understand how people use Newshunt and improve it over time.

Accepting only affects analytics. To learn more, view our Privacy Policy or Terms & Conditions.