Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, mban takime me strukturat në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vijuar takimet me strukturat vendore dhe ato të kufirit në në kuadër të intensifikimit të masave për sundimin e ligjit në territor.
Takimet u zhvilluan në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë, me fokus kryesor intensifikimin e masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, rritjen e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore, sigurinë në shkolla, si dhe etikën dhe shërbimin ndaj qytetarëve.
Gjatë takimeve, Drejtori Hita u ndal te situata kriminale, me theks te krimet e rënda, kultivimi dhe trafikimi i narkotikëve.
Ai kërkoi angazhim maksimal të Policisë Kriminale për sigurimin e informacionit dhe veprim të menjëhershëm ndaj elementeve që qarkullojnë me armë zjarri, armë të ftohta, lëndë eksplozive, lëndë narkotike, si dhe ndaj atyre që kultivojnë bimë narkotike.
'Të punohet me hetime proaktive për të evidentuar dhe goditur grupet kriminale dhe të intensifikohet puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë,' theksoi Hita, duke nënvizuar se situata duhet të ndryshojë menjëherë si për krimet e rënda, ashtu edhe për kultivimin e kanabisit.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte siguria rrugore. Pavarësisht angazhimit maksimal të Policisë Rrugore me mjetet inteligjente në dispozicion, çdo ditë konstatohet një numër i madh shkeljesh, të cilat mbeten burim rreziku për aksidente.
Me nisjen e vitit të ri shkollor për pak ditë, Drejtori i Përgjithshëm u ndal gjatë te siguria në shkolla. Ai kërkoi që Policia e Shtetit të bëjë gjithçka të mundur për mbrojtjen e nxënësve, duke përfshirë sigurinë fizike, sigurinë ushqimore në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), sigurinë kibernetike dhe atë rrugore, me qëllim që nxënësit të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt.
Etika në komunikim, zbatimi i ligjshmërisë dhe ndjekja dinamike e adresimeve të qytetarëve ishin gjithashtu tema të diskutimit.
Drejtori Hita kërkoi më shumë angazhim nga shefat e komisariateve dhe drejtorët e qarqeve, duke theksuar se ata duhet të presin qytetarët që kanë probleme, t'ua hapin telefonin dhe t'u japin zgjidhje shqetësimeve që janë në kompetencë të Policisë.
Në takimet me Policinë Kufitare, u kërkua etikë në komunikim në pikat e kalimit kufitar, luftë pa kompromis kundër krimeve kufitare, marrëdhënie të forta bashkëpunimi me homologët ndërkombëtarë dhe koordinim të veprimeve për eliminimin e radhëve gjatë flukseve.
(0)Comments