Dje, në fshatin Kokaj të komunës së Gjilanit, iu dha lamtumira e fundit Daut Dautit, i cili disa ditë më parë ndërroi jetë në Londër.
Me ndarjen e tij nga jeta, Kosova ka humbur një ndër intelektualët më të mirë që ka pasur në tri dekadat e fundit. Por, përveç një intelektuali të shquar, studiuesi dhe njeriu të penës, Daut Dauti ishte edhe një njeri i veçantë në sjellje: modest, i qetë, i sinqertë dhe korrekt në komunikim. Një njeri me të cilin mund të bisedoje lirshëm, edhe atëherë kur temat ishin të ndërlikuara dhe mendimet mund të ishin të ndryshme.
Ai ishte njeri i mendimit të thellë, racional dhe argumentues, njohës i mirë i kulturës, historisë dhe zhvillimeve të popullit tonë. Kishte një qasje të veçantë ndaj historisë së shqiptarëve dhe të rajonit, duke ditur të bëjë dallimin ndërmjet interpretimit doktrinar e ideologjik dhe qasjes së lirë, të mbështetur në argumente, fakte dhe njohuri.
Me penën e tij, Daut Dauti dinte të përshkruante jetën ashtu siç e kishte parë, përjetuar dhe shijuar vetë, në Kosovë dhe në vendet e tjera ku kishte jetuar. Kam pasur rastin dhe kënaqësinë të lexoj disa përshkrime të tij, të shkruara në formën e kujtimeve, për disa vendbanime, e veçanërisht për Gjilanin. Ato jo vetëm që më krijonin një pamje të gjallë e reale të kohës dhe vendeve për të cilat shkruante, por më zgjonin edhe një nostalgji të veçantë për ato kohë.
Në ato shkrime ndjehej jo vetëm aftësia e një publicisti dhe studiuesi, por edhe ndjeshmëria e një njeriu që e kishte përjetuar thellësisht kohën e vet. E lexoja dhe shpesh më dukej sikur nuk po lexoja vetëm për një vend apo për një ngjarje, por sikur po hyja në atë botë që ai kishte parë dhe përjetuar. Pikërisht aty qëndronte fuqia e penës së tij: aftësia për ta bërë lexuesin të ndiente rrethinën, kohën dhe atmosferën që ai përshkruante.
Daut Dauti ka dhënë kontribut të rëndësishëm në publicistikën dhe gazetarinë e vendit tonë, por kontributi i tij ishte shumë më i gjerë. Ai ishte një studiues i shquar i marrëdhënieve shqiptaro-britanike dhe autor i shumë shkrimeve e studimeve në fusha të tjera të kulturës dhe historisë.
Kam pasur rastin ta takoj në Prishtinë dy ose tri herë. Mirëpo, për ta kuptuar më mirë diapazonin e tij të gjerë intelektual dhe mendimin e tij të liruar nga kornizat e ngurta ideologjike, pata rastin të bisedoja gjatë me të gjatë qëndrimit tim në Londër, në vitin 2022.
Atëbotë ndodhesha në Londër për promovimin e librit 'Islami në Andaluzi', të autorit Ahmed Thomson Muhamed 'Ata 'Urr-Rahim. Ishte paraparë që në atë promovim të merrte pjesë edhe Daut Dauti, por për shkaqe familjare nuk pati mundësi të ishte me ne.
Të nesërmen, ai më telefonoi. Biseduam gjatë.
Me një modesti dhe sinqeritet të veçantë, kërkoi ndjesë për pamundësinë që të ishte i pranishëm në promovim. Por ajo që fillimisht kishte nisur si një telefonatë për të kërkuar ndjesë, u shndërrua në një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht interesante.
Më mahniti me njohuritë që kishte për Andaluzinë. Më bëri përshtypje qasja e tij brilante dhe argumentuese ndaj Perandorisë Osmane, ndaj periudhave të ndryshme të historisë shqiptare, si dhe ndaj zhvillimeve aktuale në vend. Ishte një bashkëbisedues që nuk fliste për të imponuar mendimin e tij, por për të argumentuar, për të shpjeguar dhe për të ndarë njohuritë e tij me tjetrin.
Para se ta mbyllnim bisedën, u dakorduam që të takoheshim në Prishtinë. Ishte një takim që, për fat të keq, nuk arritëm ta realizonim kurrë.
Pas përfundimit të bisedës, profesorit Ejup Ramadani, përkthyesit të librit 'Islami në Andaluzi', dhe kolegut Mehmet Stublla, u thashë se jemi me fat që kemi personalitete të tilla, njerëz me njohuri kaq të thella për kulturën, trashëgiminë dhe historinë në përgjithësi, e për historinë tonë në veçanti.
Sot, kur Daut Dauti nuk është më në mesin tonë, ajo bisedë më vjen në mendje me një ndjenjë tjetër. Premtimi për t'u takuar në Prishtinë mbeti vetëm një dëshirë që nuk arritëm ta realizonim. Dhe ndoshta kjo është edhe një ndër ato pengje të vogla që na kujtojnë se sa shpesh mendojmë se kemi kohë, ndërkohë që jeta, në mënyrën e saj të heshtur, na dëshmon se jo çdo takim që e lëmë për nesër mund të ndodhë.
Vdekja e Daut Dautit është një humbje e madhe për familjen e tij, për miqtë dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe vlerësuar. Por është një humbje e madhe edhe për kulturën, publicistikën dhe historinë tonë.
Me largimin e tij mbetet një zbrazëti që vështirë mund të plotësohet. Por mbeten shkrimet e tij, mendimi i tij, kujtimet dhe gjurmët që ka lënë me penën e vet.
Daut Dauti iku, por vepra dhe personaliteti i tij mbeten.
Le të shërbejnë njohuritë e tij, qasja e tij e lirë dhe argumentuese, modestia dhe korrektësia e tij njerëzore si model për brezat që vijnë.
Zoti e mëshiroftë Daut Dautin dhe e shpërbleftë për veprat e mira që la pas!
(0)Comments