Në protestën e 100-të kundër qeverisë, Dritan Goxhaj u shpreh se qëndresa e qytetarëve gjatë këtyre 100 ditëve është dëshmi e një rezistence të pandërprerë, pa dhunë dhe pa frikë.
'Sot jemi në ditën e 100-të të kësaj proteste. 100 ditë pa u lodhur, pa u trembur dhe pa dhunë. Asnjë popull në Evropë nuk ka bërë 100 ditë pa hedhur një gur, vetëm ne shqiptarët', deklaroi Goxhaj.
Ai e lidhi protestën me atë që e cilësoi si 'aktin e rezistencës konstante' të Skënderbeut, duke theksuar se forca e qytetarëve qëndron te morali.
'Ne po zbatojmë aktin e luftës së Skënderbeut, aktin e rezistencës konstante. Aktin që thotë se nuk fiton ai që ka shumë ushtarë, por ai që nuk dorëzohet kurrë. Sot ne po tregojmë se morali është arma më e fuqishme', u shpreh ai.
Goxhaj tha se rezistenca qytetare nuk duhet të matet vetëm me numrin e pjesëmarrësve, por me qëndrueshmërinë e saj.
Duke folur për objektivin e protestës, Goxhaj theksoi se kërkesa e protestuesve nuk është hakmarrja, por liria.
'Ne nuk kërkojmë pushtet, por drejtësi. Ne nuk po kërkojmë hakmarrje, por liri. Pushtetarët kanë para, por nuk kanë nder', deklaroi ai.
Ai paralajmëroi gjithashtu se përshkallëzimi i protestave mund të shërbejë si një 'grackë e pushtetit'.
'Përshkallëzimi është gracka e pushtetit. Shkalla e përshkallëzimit është nën kontrollin e pushtetit', u shpreh Goxhaj.
Në përfundim, ai theksoi se 100 ditët e protestës nuk duhet të shihen vetëm si një përpjekje për të rrëzuar një qeveri, por edhe si një mundësi për të ndërtuar një alternativë të re.
'100 ditë nuk janë vetëm për të rrëzuar, por edhe për të ndërtuar', përfundoi Dritan Goxhaj.
(0)Comments