Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar lokalitetin arkeologjik të Ulpianës, apo Justiniana Secunda, në periferi të Prishtinës, ku po vazhdojnë hulumtimet dhe gërmimet arkeologjike, përcjell KosovaPost.
Kurti ka thënë se bashkë me ekipin e arkeologëve, Milot Berishën dhe profesorin Christophe Goddard, ka parë nga afër punimet që po zhvillohen në këtë lokalitet, të cilat janë të përqendruara në zbulimin, hulumtimin dhe dokumentimin e pagëzimores së kompleksit katedral të Justiniana Secunda.
Sipas Kurtit, Ulpiana ka dhënë dëshmi të rëndësishme për historinë e Dardanisë, përfshirë edhe mbishkrimin monumental të Perandorit Justinian për Dardaninë dhe Justiniana Secundan.
Ai ka theksuar se përfundimi i shpronësimit të pronave përreth lokalitetit dhe kalimi i tyre në pronësi të shtetit ka zgjeruar hapësirën për hulumtime dhe gërmime arkeologjike.
'Kjo krijon mundësi që puna arkeologjike të vazhdojë dhe të sjellë në dritë dëshmi të reja për organizimin monumental, organizimin e hershëm kishtar dhe transformimin urban të Justiniana Secunda gjatë Antikitetit të Vonë', ka shkruar Kurti.
'Gjurmëve të trashëgimisë së lashtë të Kosovës, në zemër të origjinës antike të qytetërimit evropian!', ka përfunduar ai.
(0)Comments