Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, deklaroi për Kanal 5 se po punohet intensivisht për zbardhjen e vrasjes së 26-vjeçarit, e cila ndodhi mbrëmë në Çair. Sipas tij, MPB-ja disponon informacione fillestare dhe prova për autorët e mundshëm.
'Për momentin nuk mund të flas zyrtarisht për motivet. Mund të theksoj vetëm se po punohet intensivisht për këtë vepër penale. Ministria ka informacione fillestare dhe ka siguruar prova për autorët. Shpresoj që ata të lokalizohen sa më shpejt dhe të ndiqen penalisht', deklaroi Toshkovski.
Sipas MPB-së, rreth orës 23:30, pranë kryqëzimit të rrugëve 'Prohor Pçinski' dhe 'Vojdan Çernodrinski' në Shkup, dy persona me motoçikletë kanë qëlluar me armë zjarri drejt një grupi qytetarësh dhe më pas janë larguar. Nga të shtënat është plagosur A.M., 26 vjeç, i cili është transportuar në Kompleksin e Klinikave 'Nënë Tereza', ku ka ndërruar jetë.
Toshkovski bëri të ditur se, sipas informacioneve fillestare, njëri nga personat e përfshirë në këtë ngjarje aktualisht po vuan dënim me burg.
'Ende është herët të thuhet nëse personi ka qenë i liruar përkohësisht apo si ka ndodhur kjo. MPB-ja dhe Prokuroria Publike do ta hetojnë plotësisht rastin', tha ai.
Sipas ministrit, informacionet e para nuk tregojnë se bëhet fjalë për një përplasje ndërmjet grupeve të organizuara kriminale për dominim në terren. Ai bëri thirrje që hetimit t'i lihet kohë për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes. / Aktuale.mk
(0)Comments