Në fakt, bëhet fjalë për dy sezone, atë të verës që iku, dhe ky i vjeshtës që trokiti sakaq. Vera e zhurrmshme, me trafik të rënduar, me parkingje të munguara vençarisht në zonat bregdetare, me zonat elitare te rivierës jugore ku ndërtimet shumëkatëshe po ngrihen pa kriter ndërkohë që mungojnë impiantet e pastrimit të ujërave të zeza që derdhen lirisht në det, siç derdhen mbetjet spitalore dhe anijet e huaja që zbrazin depozitat në një vend pa kontroll të vijës kufitare.
Uji i (pa)pijshëm ndërkohë që vijon mungon, ose vjen me orar. Por turistët, madje edhe ata që janë thjesht shqiptarë të emigruar që kthehen me pushime, edhe ata të vendeve fqinjë që përdorin aeroportin e Rinasit për tranzit, numërohen si turistë. Paçka se ka mospërputhje të thellë mes net-qëndrimeve dhe numrit që raportojnë numëruesit qeveritarë.
Në fakt më shumë se numërues turistësh në pikat kufitare dhe vidjosh dhe fotosh promovuese të sipërmarrjeve dhe aktiviteteve private nga influencerat me punë në shtet, vendi ka nevojë për politika publike që zgjidhin hallet e sipërpërmendura që nuk vijnë si rezultat i rritjes së kërkesave të qytetarëve si rezultat i rritjes së standarteve. Kurrsesi jo. Por vijnë si kërkesa të përmbushjes së detyrimeve bazike për një shtet dhe qytetarë që janë vend kandidat për në Bashkimin Evropian. Aty ku antarësohesh me standarte dhe jo propagandë, me kritere strikte dhe jo llafe pazari, me norma evropiane dhe jo sjellje noprane.
Përgjatë rivierës vijojnë ndërtimet e pallateve shumëkatëshe në zonat më të preferuara të bregut. Me koefiçent të ndërtimit që shpesh kalon 100 përqindshin, ndërtesat që rrinë si kala dibrançe mbi njëra-tjetrën, pa kanale ujrash te zeza, pa impiante te pastrimit te ujrave te zeza, pa flotë autobotesh për pastrimin e gropave skeptike. Ujërat e zeza dhe mbetjet spitalore që derdhen lirisht në det. Natyrisht nuk ka ujë të pijshëm për gjithë këto ndertime, nuk ka rrugë kalimi, nuk ka parkime. Madje për këto të fundit ndodh që plas sherri, ngjashëm si në trafikun e mbingarkuara rrugëve të ngushta dhe gjithnjë të hapura si kantier ndërtimi. Ky është (turizmi elitar) i një pakice të vogël që ka shumëfishuar vilat përgjatë bregdetit më të lakmuar duke krijuar zona eksluzive për vete, duke vendosur mure ndarëse me pjesën më të madhe të popullsisë, përfshirë mbi gjysmën e shqiptarëve që nuk ka mundësi as për një javë pushimi në vit. Madje edhe kur shkon, do përballohet me çmimet e Montekarlos dhe cilësinë e një vendi të Afrikës nën-sahariane.
Ndërkohë probleme të tjera që mbart sezoni që lamë pas por i ka gjetur edhe ky i vjeshtës që sapo filloi, janë zjarret. Nga Fushë-Arrëzi, Puka dhe Kruja deri në Vlorë dhe Sarandë, Shqipëria ka qenë nën pushtetin e zjarreve rrënuese. Janë shkrumbuar deri tani rreth 1500 hektarë pyje dhe kullota përfshirë këto të fundit të Himarës ku helikopteri shkoi me vetëm 12 orë vonesë. Ndërkohë ende priten ata dy avionët amfibë kanadezë për shuarjen e zjarreve, që u premtuan më shumë se një vit më parë dhe vlera e të cilëve është sa koncerti i Kani Uest-it për të cilin na u desh të ngrinim edhe stadium apostafat.
Nga ana tjetër, vjeshta nisi me turin politik të Berishës në SHBA, ndërkohë që i përgjigjen përpjekjet e spin-it qeveritar për ta zhvlerësuar si një vizitë mjekësore tashmë, pasi nuk u la gjë pa thënë për pamundësinë e vizitës deri pak javë më parë.
Një arsyetim që nuk e pranon as logjika më elementare. Ndërkohë që i pari i kryeministrisë e quan ish-pasardhësin e pretenduar, kryetar në detyrë të bashkisë Tiranë si talent të madh që nuk mbajti dot peshën e pushtetit. Kur ky i fundit ka ngrënë shumë burra (nënteksti: burra më të mirë se ky që është aktualisht në burg).
Megjithatë prania besnike vijon me dëgjesa me fakir-qytetarin që vijnë si para provimi diplome dhe u recitojnë hallet e përditshmërisë jurisë së deputetëve të zonës. Paçka se këta të fundit janë të privuar tash e tutje edhe t'ua mbajnë hallin shënim dhe ta referojnë për zgjidhje në ekzekutiv se së shpejti mund të pësojnë dhe ndjekje penale për këtë veprim siç dhe u paralajmërua.
Kronika e një vjeshte të paralajmëruar, diç parathotë për tramundanat sezonale me të cilat jemi mësuar, të tjera habere priten të vijnë nga Uashingtoni dhe Brukseli pa harruar kancelaritë evropiane si Berlini, ndërkohë që protestat e përnatshme jo vetëm nuk u shuan nga vapa e gjatë dhe rraskapitëse por përkundrazi kanë paralajmëruar përshkallëzim përgjatë sezonit të ri. Një sezon ky që vështirë të vësh bast se cila do të jetë skuadra fituese se deri në finalen e zgjedhjeve lokale, ka për të pasur plot ujëra që do të rrjedhin dhe trazojnë jo pak politikën dhe aktorët kryesorë.
(0)Comments