Albano Bogdo mund të jetë një nga emrat e rinj që do të shohim në sezonin e ardhshëm të 'Portokalli'-së. Aktori, i cili për vite me radhë ishte pjesë e '2XL' dhe më pas e 'Klanifornia', duket se këtë herë do të rikthehet në një tjetër skenë të madhe humori.
Aludimet nisën pas një fotografie të publikuar nga aktori Visjan Ukcenaj, ku ai shfaqet krah Bogdos në ambientet e Top Channel.
Nëse konfirmohet, për Albanon ky do të ishte një kapitull krejt i ri, pasi ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e këtij formati. Përkundrazi, vite më parë aktori ka treguar se kishte provuar disa herë të bëhej pjesë e spektaklit, por ishte refuzuar në audicione.
I ftuar në 'Thumbon', Bogdo pati rrëfyer se kishte bërë katër audicione për 'Portokalli', por përgjigjja që kishte marrë ishte se nuk ishte i përshtatshëm për atë spektakël. Madje, në reagimet e tij nuk ka kursyer as ish-regjisorin e këtij spektakli, Altin Basha.
'Para se të filloja tek 2XL kam bërë 4 herë audicione tek Portokallia. Më thoshin s'je për këtë punë. Para nja 8 vitesh më kërkuan prapë', tha asokohe aktori.
Tashmë, disa vite më vonë, duket se situata mund të jetë krejt ndryshe. 'Portokalli' po përgatitet për një sezon të ri me ndryshime në kast, ndërsa rikthimi i Agron Llakajt në drejtimin e spektaklit dhe ardhja e Kiara Titos janë tashmë pjesë e formatit të ri.
Nëse fotografia e Visjan Ukcenajt është vërtet një 'spoiler' për kastin e ri, atëherë së shpejti mund ta shohim edhe Albanon në skenën e 'Portokalli'-së.
E po, dramat duket se do ia lënë vendin humorit, së paku, këtë sezon.
(0)Comments