Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, ka reaguar pas vendimit të gjykatës, e cila e dënoi me dy vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë.
Vendimi erdhi pasi Kelmendi kishte arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë.
Pas përfundimit të seancës, Gjesti ka reaguar përmes një postimi në 'InstaStory', ku ka falënderuar Gjykatën, Prokurorinë e Kosovës dhe avokatët e tij, Artan Qerkini dhe Burim Azemi.
Këngëtari ka shprehur mirënjohje për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë procesit, ndërsa një pjesë të veçantë të mesazhit ia ka kushtuar fansave të tij.
'Dua të shpreh falënderimin tim të sinqertë për Gjykatën, Prokurorinë e Kosovës, si dhe për avokatët e mi, Artan Qerkini dhe Burim Azemi, për profesionalizmin, korrektësinë dhe përkushtimin e treguar gjatë gjithë procesit', ka shkruar Gjesti.
Ai ka vlerësuar gjithashtu mbështetjen profesionale të avokatëve të tij dhe mënyrën se si është trajtuar gjatë procesit.
'Faleminderit prej zemrës për secilin që ka kontribuar në këtë proces', ka shkruar më tej këngëtari.
Në fund, Gjesti u është drejtuar fansave të tij, duke i falënderuar për mbështetjen dhe dashurinë e treguar ndaj tij.
'E mbi krejt, faleminderit juve, publikut tem, që m'keni përkrahë, m'keni dashtë edhe m'pranoni qashtu qysh jom', përfundoi ai.
(0)Comments