'3 orë përgjim në Monako'/ Ahmetaj zbulon audio-përgjimin shokues dhe përfshin Ramën: Tregti armësh me izraelito-shqiptarin Ron Yeffet. 'Kayo', sipërmarrje kriminale, kush fshihet pas 'Ermal raketa'
Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda gjatë emisionit 'Çim Peka Live', duke njoftuar se do të nxjerrë në dritë prova audio dhe dokumentare që, sipas pohimeve të tij, përfshijnë figura kyçe të skenës politike dhe atë të biznesit.
Ai pohoi se mban në aparatin e tij celular si dhe në një memorje USB një regjistrim treorësh të shkëputur, duke shtuar se ekziston edhe një përgjim tjetër po aq i gjatë i realizuar në Monako, ku figura qendrore e bisedës është kreu i organizatës.
Të lidhura
None found
'Kam dhe 3 orë në USB të shkëputur. Ka dhe një interceptim tjetër në Monako, tre orë, ku kreu i organizatës është kryefjala. Bëhet fjalë për vazhdimin. Aty është një serial tjetër krimi me krim të organizuar', u shpreh Ahmetaj.
Sipas tij, në këto materiale shfaqet edhe emri i shtetasit izraelito-shqiptar Ron Yeffet, të cilin Ahmetaj e lidhi me takime në Shqipëri gjatë vitit 2018 dhe me kontakte të hershme me Edi Ramën. Ai paralajmëroi se përmbajtja e regjistrimeve përmban të dhëna për trafik armësh dhe përmendi gjithashtu një personazh të quajtur 'Ermal Raketa', duke e identifikuar atë si ministrin e tanishëm të Mbrojtjes.
'Do të shihni në disa dokumente kontributin e Ron Yeffetit. Në audio-përgjim do të kesh elementë të trafikut të armëve. Do të kemi dhe Ermal Raketën, ministrin aktual të Mbrojtjes', deklaroi ai.
Ish-zëvendëskryeministri e zgjeroi fokusin e deklaratave të tij edhe tek ajo që e cilësoi si 'koncepti Kayo', një kompani me natyrë kriminale, duke pretenduar se veprimtaria e saj shtrihet në disa sektorë të lidhur me aktivitete të paligjshme.
Ahmetaj paralajmëroi se provat do të plotësohen me dokumente dhe informacione shtesë, duke përfshirë të dhëna për udhëtime me avionë privatë, akomodime në hotele italiane dhe individë të tjerë që, sipas tij, janë pjesë e këtyre ngjarjeve.
'Vijmë te video-audio përgjimet. Regjia është përgatitur', përfundoi Ahmetaj, duke lënë të kuptohej se publikimi i këtyre materialeve është i pashmangshëm në ditët në vijim.
(0)Comments