Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, së bashku me kreun e Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, dhe kryetaren e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, zhvilluan një takim me Paulo Zampollin, të Dërguarin Special të Presidentit të SHBA-së për Partneritetet Globale.
Sipas njoftimit të PD-së, në fokus të takimit ishte situata politike, institucionale dhe ekonomike në Shqipëri, ndërsa përfaqësuesit e opozitës ngritën një sërë shqetësimesh mbi funksionimin e demokracisë dhe institucioneve.
PD deklaroi se krimi i organizuar dhe korrupsioni kanë krijuar, sipas saj, një klimë të pafavorshme për investimet e huaja dhe kanë dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë te Shqipëria.
Një tjetër çështje e ngritur gjatë takimit ishte përqendrimi i pushtetit dhe ndikimi politik mbi institucionet. Përfaqësuesit demokratë akuzuan qeverinë e Edi Ramës se ka dobësuar ndarjen e pushteteve dhe se ka penguar, sipas tyre, funksionimin e pavarur të drejtësisë.
Në takim u diskutua edhe ajo që PD e cilëson si 'axhenda Soros' në Shqipëri, për të cilën opozita pretendon se ka ndikuar në zhvillimet politike dhe institucionale të vendit.
Zgjedhjet ishin një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit. Përfaqësuesit e PD-së denoncuan përdorimin e parave të paligjshme, keqpërdorimin e administratës publike dhe lidhjet e politikës me krimin e organizuar, duke i cilësuar këta faktorë si elementë që deformojnë vullnetin e zgjedhësve.
PD theksoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të thellë politik dhe institucional, me më shumë llogaridhënie, ndarje dhe balancë të pushteteve, konkurrencë politike dhe integritet të proceseve zgjedhore.
Nga ana e tij, Paulo Zampolli shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me opozitën shqiptare dhe për të ndihmuar Shqipërinë në proceset e saj demokratike.
Në përfundim, Partia Demokratike deklaroi se do të vijojë të mbështesë, sipas saj, mbrojtjen e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe interesit kombëtar, si dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët.
(0)Comments