Nxënësit gjermanë kanë shënuar rezultatet më të dobëta ndonjëherë, në vlerësimin ndërkombëtar PISA 2025, bëri të ditur të martën Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).
'Po shohim nivele historikisht të ulëta të aftësive', deklaroi për dpa drejtuesi i studimit në Universitetin Teknik të Munihut, Samuel Greiff.
Programi i OECD-së për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve mat aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë. Ky vlerësim organizohet çdo tre vjet që nga viti 2000.
Rezultatet e vitit 2025 janë më të ulëtat e regjistruara nga Gjermania që nga nisja e testimit. OECD-ja raportoi rënie të performancës edhe në nivel ndërkombëtar.
Nxënësit gjermanë shënuan rezultatin më të dobët në lexim, duke arritur 465 pikë. Në vlerësimin e vitit 2022 kishin marrë 480 pikë.
Në matematikë morën 464 pikë, krahasuar me 475 pikë, tre vjet më parë. Rezultati në shkencë ra nga 492, në 486 pikë.
Vendet si Holanda dhe Franca shënuan rezultate të përafërta me Gjermaninë. Në 14 shtete anëtare të OECD-së, përfshirë Estoninë, Kanadanë, Zvicrën dhe Austrinë, nxënësit patën rezultate dukshëm më të mira.
'Nuk jemi shumë prapa. Megjithatë, nuk po i përmbushim standardet tona si vend i arsimit. Nuk jemi ndër vendet me rezultatet më të mira', tha Greiff.
Rezultatet treguan gjithashtu lidhje të ngushtë ndërmjet prejardhjes sociale dhe mundësive për arsimim.
'Lidhja ndërmjet statusit socio-ekonomik dhe suksesit në arsim është rreth tri herë më e fortë në Gjermani sesa në Kanada', deklaroi ai.
Sipas Greiffit, ndikim kanë pasur edhe diversiteti më i madh i nxënësve, problemet psikologjike dhe vështirësitë sociale.
'Vija ndarëse nuk është ndërmjet të rinjve me ose pa prejardhje emigrante. Ajo është ndërmjet të rinjve nga familjet e privilegjuara dhe atyre nga familjet e pafavorizuara', theksoi ai.
Rezultatet e para të PISA-s, të vitit 2000, kishin alarmuar Gjermaninë pasi vendi ishte renditur nën mesataren e OECD-së. Rezultatet e dobëta nxitën atëherë debate dhe reforma arsimore, të njohura si 'shoku PISA'.
(0)Comments