Nga rasti `Sheholli` te shtatë të arrestuarit për spiunazh në favor të Shërbimit Sekret Serb, shpërfaqet një valë e goditjes së celulave serbe duke rindezur fuqishëm alarmin e madh për sigurinë kombëtare. Sot, Kosova përballet me pyetjen më të ndjeshme të tranzicionit: A po e paguan shteti çmimin e një drejtësie të vonuar për shkak të mungesës së Ligjit të Lustracionit?
Përderisa shtetet e tjera postkomuniste e pastruan sistemin duke u ndaluar bashkëpunëtorëve të aparateve represive qasjen në poste publike, për Republikën e Kosovës kjo rrugë mbetet një nyje e pazgjidhur.
Për më shumë se dy dekada pas luftës, Kosova vazhdon të përballet me një prej pyetjeve më të ndjeshme të tranzicionit: si të identifikohen dhe si të trajtohen personat që kanë bashkëpunuar me strukturat e regjimeve të kaluara? Kjo dilemë, e lënë pezull për vite me radhë, po rikthehet sërish në qendër të vëmendjes institucionale.
Në vendet postkomuniste, kjo traumë historike është trajtuar me sukses përmes të ashtuquajturve "Ligje të Lustracionit". Këto korniza ligjore funksionuan si filtër shtetëror, duke ua kufizuar automatikisht qasjen në poste të larta publike të gjithë personave që rezultonin të lidhur me aparatet represive të kohës.
'Ligjet për lustracionin janë çështje që janë krijuar për të kontrolluar njerëzit të cilët kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimeve të kaluara dhe kjo është një çështje postkomuniste', tha për RTK, Gurakuq Kuçi, ekspert i çështjeve të sigurisë.
Problemi kryesor mbetet dokumentacioni. Pas tërheqjes së strukturave serbe nga Kosova, një pjesë e dokumenteve të administratës dhe aparatit të sigurisë u largua nga territori. Pa prova të verifikueshme, një proces i tillë rrezikon të kthehet në akuza të bazuara në thashetheme, apo përplasje politike.
Megjithatë, baza dokumentare po zgjerohet. Instituti për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë, i themeluar në vitin 2023, ka mandat për mbledhjen, verifikimin dhe arkivimin e dëshmive. Deri në vitin 2026, Instituti raportoi mbi 400 metra linearë materiale fizike dhe mbi 20 terabajtë materiale digjitale, të mbledhura nga më shumë se 650 burime në 14 shtete.
'Nëse do të ndërtonim një ligj pa dokumentacion, atëherë më shumë do të ishte një lloj gjuetie me thashetheme apo gjuetie politike pa argumente', tha Gurakuqi.
Por dokumentacioni, i vetëm, nuk mjafton. Një ligj lustracioni duhet të përcaktojë qartë se çfarë konsiderohet bashkëpunim, cilat pozita janë relevante dhe çfarë provash kërkohen. Komisioni i Venedikut kërkon garanci të plota procedurale: të drejtën për t'u mbrojtur, qasje në prova, mundësi për t'i kundërshtuar ato dhe të drejtë ankese në gjykatë të pavarur. Pra, lustracioni nuk mund të jetë një listë emrash. Duhet të jetë proces individual, i bazuar në prova.
Edhe drejtësia ka rol vendimtar. Raporti i OSBE-së i publikuar në korrik 2026 evidenton progres në trajtimin e krimeve të luftës, por edhe probleme me provat, zvarritjet dhe garancitë procedurale. Kjo është edhe dilema e Kosovës: si të trajtohet e kaluara pa krijuar një mekanizëm të ri padrejtësie?
Kosova nuk ka kaluar nga komunizmi në demokraci në mënyrë klasike. Ajo ka kaluar nëpër luftë, administrim ndërkombëtar dhe një proces të gjatë shtetndërtimi. Prandaj, një model i importuar nuk është domosdoshmërisht zgjidhja. Atëherë, a i duhet Kosovës një ligj lustracioni? Mund të jetë po. Por vetëm nëse ndërtohet mbi katër shtylla: dokumentim, verifikim, kritere të qarta ligjore dhe një organ të pavarur që merr vendime individuale.
(0)Comments