KRM 'Pastrimi' ka ngritur shqetësimin se mosnënshkrimi i marrëveshjeve të financimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) mund të rrezikojë realizimin e një projekti strategjik prej rreth 74 milionë eurosh për modernizimin e menaxhimit të mbeturinave në Rajonin e Prishtinës.
Sipas njoftimit të ndërmarrjes, Ministria e Financave nuk ka proceduar me nënshkrimin e marrëveshjeve të financimit me KfW-në, duke rrezikuar vazhdimin e projektit të financuar nga Bashkimi Evropian dhe KfW.
Projekti prek drejtpërdrejt gjashtë komuna dhe mbi 500 mijë qytetarë e biznese, të cilëve KRM 'Pastrimi' u ofron shërbime të grumbullimit të mbeturinave.
Ndërmarrja thotë se gjatë viteve të fundit ka punuar në përmirësimin e menaxhimit financiar dhe operativ, duke kaluar nga një bilanc negativ në bilanc pozitiv operativ, si dhe duke shënuar përmirësime në vlerësimet dhe pasqyrat e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.
Sipas KRM 'Pastrimi', rreth 24.1 milionë euro nga vlera totale e projektit janë të zotuara prej më shumë se dy vitesh, ndërsa projekti është përgatitur dhe zhvilluar për një periudhë të gjatë.
Investimet e parapara përfshijnë ndarjen e mbeturinave në burim dhe zhvillimin e riciklimit, blerjen e mbi 100 kamionëve të rinj, rreth 10 mijë kontejnerëve të rinj, si dhe investime në objekte dhe infrastrukturë për gjashtë komunat.
KRM 'Pastrimi' ka paralajmëruar se mosnënshkrimi i marrëveshjeve mund të sjellë jo vetëm shtyrje të procedurave, por edhe rrezik për humbjen e investimeve të planifikuara.
Ndërmarrja ka bërë thirrje për angazhim institucional dhe bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte realizimin e projektit në interes të qytetarëve dhe mjedisit.
(0)Comments