Konjufca dënon nderimet për Mlladiqin: Akt i turpshëm moral dhe politik

Konjufca dënon nderimet për Mlladiqin: Akt i turpshëm moral dhe politik
View on original source
Category: Politics
Share
Archive
Like
PRISHTINË (AA) - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar nderimet ushtarake të bëra për kriminelin e dënuar të luftës Ratko Mlladiq, duke i cilësuar ato si 'akt të turpshëm moral dhe politik', transmeton Anadolu. Në një postim në rrjetin social amerikan X, Konjufca reagoi ndaj nderimeve që iu bënë ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, duke kritikuar gjithashtu pjesëmarrjen e ministrave në detyrë të qeverisë serbe në homazhe. 'Të nderosh një kriminel lufte të dënuar, krimet e të cilit janë përshkruar nga një tribunal ndërkombëtar si 'ndër më të tmerrshmet që njeh njerëzimi', është një akt i turpshëm në aspektin moral dhe politik', tha Konjufca. Ai tha se nderimet ushtarake për Mlladiqin, së bashku me pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë, përbëjnë 'glorifikim institucional' të një personi të dënuar për gjenocid, duke shtuar se 'kjo është zgjedhja që bëri sot Beogradi'. Konjufca e lidhi këtë veprim edhe me atë që e cilësoi si vazhdimësi politike në Serbi, duke përmendur se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, kishte shërbyer si ministër i Informacionit gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. 'Dekada më vonë, shteti serb vazhdon t'u japë legjitimitet figurave dhe narrativave të rrënjosura në të njëjtën politikë të spastrimit etnik, zgjerimit territorial dhe mizorive masive që shkatërruan rajonin tonë në vitet '90', tha ai. Sipas Konjufcës, nderimi i Mlladiqit përmes institucioneve shtetërore tregon se Serbia ende refuzon të përballet me një pjesë të madhe të kësaj trashëgimie politike. Duke iu referuar Kosovës, ai tha se kjo çështje nuk përbën 'një debat abstrakt për historinë'. 'Populli ynë mbart kujtimin e masakrave, civilëve dhe fëmijëve të vrarë, dëbimeve masive dhe dhunës sistematike të kryer nga forcat shtetërore serbe', tha Konjufca. Ai theksoi se Kosova hedh poshtë çdo përpjekje për t'i shndërruar krimet e vërtetuara gjyqësisht në çështje të interpretimit kombëtar apo autorët e dënuar të këtyre krimeve në figura të denja për t'u nderuar. 'Gjenocidi nuk merr një kuptim tjetër me kalimin e kohës dhe mohimi nuk mund ta fshijë dinjitetin e atyre që u vranë, u përndoqën dhe u dëbuan', tha ai. Konjufca gjithashtu shprehu solidaritet me popullin boshnjak, viktimat dhe të mbijetuarit e Srebrenicës, si dhe familjet e viktimave. Mlladiq, i njohur si "Kasapi i Bosnjës", u shpall fajtor nga një gjykatë e OKB-së për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës në 1995. Ai vdiq më 27 gusht teksa po vuante një dënim të përjetshëm në burg në Hagë. Sot, ai u varros në varrezat Topçider në Beograd, ku ceremonia fetare u drejtua nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, me pjesëmarrjen e disa peshkopëve të KOS-it, pas së cilës kortezhi u nis drejt varrezave Topçider, ku Mlladiq u varros pas fjalimeve dhe me të shtëna nderi.

(0)Comments

 

A note on cookies

Newshunt uses essential cookies to keep you signed in and to remember your language and country, so the site works the way you expect. With your permission, we'd also like to use analytics cookies to understand how people use Newshunt and improve it over time.

Accepting only affects analytics. To learn more, view our Privacy Policy or Terms & Conditions.