Shqipëria është e përgatitur për të kontribuar në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF) në Rripin e Gazës, si dhe për të luajtur rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara për paqen dhe sigurinë, tha të martën ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha.
Hoxha i bëri këto komente pas një takimi në Tiranë me gjeneralmajorin amerikan Jasper Jeffers, i cili është komandant i ISF-së.
Jeffers qëndroi për një vizitë në Shqipëri, ku u takua edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Hoxha tha në një shkrim në X se bisedoi me Jeffersin për rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të sjellin ndryshim.
Ai theksoi se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.
"Kontributi ynë në ISF është një vazhdim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe i besimit tonë se vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, mund të japin kontribute domethënëse në adresimin e sfidave të kohës sonë", deklaroi Hoxha.
Edhe ministri Nufi theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për të dhënë kontribut në misione të përbashkëta ndërkombëtare, duke e lidhur pjesëmarrjen në ISF me partneritetin strategjik Shqipëri-SHBA dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s.
Shqipëria ishte ndër vendet e para që u zotua për të dërguar trupa në kuadër të këtij misioni në Gazë.
Në fillim të këtij viti, një ekip i ushtrisë shqiptare ishte dërguar në Gazë për të parë nga afër gjendjen në terren.
Asokohe, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura pati thënë se kontingjenti i parë shqiptar që mund të dërgohej në Gazë do të ishte pjesë e shtabit të ISF-së, ndërsa më pas do të shqyrtohej një kontribut më i gjerë me trupa.
Jeffers vizitoi Shqipërinë një ditë pasi ishte në Kosovë, ku së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, nënshkruan një marrëveshje që formalizon përfshirjen e Kosovës në ISF.
Edhe Kosova kishte dërguar në fillim të vitit ekip në Gazë për ta vlerësuar terrenin para zhvendosjes së trupave atje.
Deri tani, përvec Kosovës dhe Shqipërisë, dhe Indonezia, Maroku dhe Kazakistani i janë bashkuar ISF-së, ndërsa Egjipti dhe Jordania janë zotuar ta trajnojnë policinë.
Forca Ndërkombëtare Stabilizuese buron nga një plan 20-pikësh i presidentit amerikan, Donald Trump, për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë.
Trumpi krijoi Bord të Paqes për të mbikëqyrur planin e tij për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Gazë dhe për të rindërtuar territorin e shkatërruar.
Sipas planit, forca paqeruajtëse duhet të zhvendosen në Gazë për të siguruar zonat pas tërheqjes së forcave izraelite, si dhe t'i trajnojnë forca e reja policore palestineze dhe të mbështesin dërgimin e ndihmave atje.
Pjesa më e madhe e Gazës mbetet në rrënoja pas dy vjetësh luftë, e cila u shkaktua nga sulmet e udhëhequra nga Hamasi ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Hamasi është grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.
Por, që nga njoftimi për një marrëveshje në fund të korrikut, përpjekjet për dërgimin e trupave kanë ngecur, pasi si Izraeli, ashtu edhe Hamasi nuk kanë pranuar t'i përmbushin kushtet që do ta mundësonin zbatimin e marrëveshjes.
I dërguari i Trumpit dhe dhëndri i tij, Jared Kushner, zhvilloi takime të ndara me zyrtarë të Hamasit dhe me udhëheqës izraelitë në gusht, por u largua pa ndonjë përparim, pasi të dyja palët qëndruan të palëkundura në kërkesat e tyre kryesore.
Prandaj, mbetet e paqartë se kur do të mund të dërgohen trupat e misionit ndërkombëtar në Gazë.
Plani i armëpushimit e ka ulur dhunën në Gaza, por nuk i ka dhënë fund sulmeve izraelite dhe as nuk ka siguruar çarmatimin e militantëve.
Më shumë se 1.200 palestinezë dhe katër ushtarë izraelitë janë vrarë në Gaza që nga arritja e armëpushimit në tetor, sipas zyrtarëve shëndetësorë të Gazës dhe ushtrisë izraelite.
(0)Comments