Që prej gushtit 2025, shteti shqiptar i ka paguar mesatarisht më shumë se tre milionë euro në muaj një kompanie që një vit më parë nuk ekzistonte. Miliona të tjera mendohet se janë paguar përmes transaksioneve të paraportuara ose të klasifikuara.
Të gjitha pa asnjë tender publik.
Timak Defence, një kompani publiko-private, në të cilën qeveria shqiptare ka vetëm 20%, u krijua në gusht 2025 për të prodhuar dhe furnizuar forcat e armatosura me automjete dhe mjete të tjera ushtarake.
Një sipërmarrje tjetër, me të njëjtën strukturë pronësie, Advanced Arms Technology, u krijua për të prodhuar dhe blerë armë të kalibrit të lehtë dhe të mesëm dhe dronë ushtarakë për forcat e armatosura.
Pas të dyja kompanive qëndron i njëjti person, Ron Yeffet, një biznesmen izraelito-amerikan dhe mik i kryeministrit Edi Rama.
Për të zbuluar se kujt ia ka dorëzuar Shqipëria sistemin e saj të furnizimeve ushtarake, Exit.al shqyrtoi sipërmarrjet dhe vendet ku ka qenë përfshirë më parë Yeffet: Dakar, Lagos, N'Djamena, Manhatan dhe Majami.
Kudo shfaqet një panoramë e ngjashme dhe shqetësuese.
Një mbiemër që hap dyer
60-vjeçari Ron Yeffet ka lindur në Jerusalem por prej dekadash jeton në SHBA, sipas biografive të sponsorizuara që ai ka publikuar këtë vit në internet si pjesë e një fushate përmirësimi imazhi.
Ajo që ai nuk zbulon në këto biografi është se ai është djali i Isaac Yeffet-it, i cili ka shërbyer si shefi i sigurisë së kompanisë El Al, linja ajrore kombëtare e Izraelit, dhe zëvendës shef i sigurisë në ministrinë e Jashtme izraelite.
Pasi u zhvendos në Nju Xhersi në fund të viteve 1980-të, Isaac Yeffet u kthye në një nga ekspertët e sigurisë së aviacionit më të cituar në Shtetet e Bashkuara, duke u intervistuar në CNN dhe kanale të tjera amerikane.
Babai ka shërbyer si kredencial për t'i hapur të birit dyert drejt njerëzve të pushtetshëm, dhe është përfshirë vetë në disa sipërmarrje të të birit. Kjo dëshmohet nga fakti se ai u padit bashkë me të birin nga Republika e Togos dhe shfaqet edhe në çështjen 'Maison du Senegal", siç tregojnë dokumentet gjyqësore dhe raportimet mediatike.
Senegali: një president, shumë marrëveshje klienteliste
Pavarësisht pretendimeve të tij për biznese të shumta në Afrikë, informacionet publike tregojnë se karriera afrikane e Ron Yeffetit fillon dhe përfundon me presidencën e Macky Sall-it në Senegal. Ishte Sall ai që e bëri Yeffetin konsull nderi të Senegalit në Tel Aviv, emërim që Yeffet e përdor ende në artikujt reklamë që ai ka botuar këtë vit (shtypi senegalez raporton se ky emërim është ndërprerë).
Në gusht 2013, Yeffet regjistroi në Dakar kompaninë Develop Sénégal Company (DSC) dhe gjashtë ditë më vonë kërkoi të merrte pa konkurrim një kontratë prej 24 milionë eurosh për ndërtimin e banesave studentore në universitetin kryesor të vendit.
Ai e mori kontratën me negocim direkt, pavarësisht kundërshtimeve të agjencive të prokurimit.
Raportimet senegaleze të vitit 2018 pretendonin se pasi siguroi kontratën, Yeffet ia nënkontraktoi punimet firmave vendase për më pak se gjysmën e çmimit të kontratës duke mbajtur për vete diferencën.
Shpejt, pasuan kontrata të tjera, të gjitha pa tender, për banesa universitare dhe policore, me vlerë të përgjithshme rreth 55 milionë euro.
Mediat senegaleze kanë akuzuar se këto marrëveshje publike u siguruan përmes negociatave të drejtpërdrejta pa tender publik dhe nuk përfshinin asnjë angazhim financiar nga Yeffet.
Në vitet e fundit të presidencës së Sallit, Yeffet mori një kontratë qiraje 30-vjeçare për një hektar tokë buzë detit në zonën më të shtrenjtë të Dakarit, për të ndërtuar një hotel, një marinë dhe apartamente luksoze, me vlerë të pretenduar investimi prej 140 milionë euro.
Kritikët në Senegal akuzuan se kontrata ishte dhënë nën tavolinë për një pasuri të mbrojtur të vijës bregdetare senegaleze.
Kur në mars 2024 në Senegal erdhi në pushtet një president i ri me një platformë anti-korrupsion, kantieri i ndërtimit u ndalua dhe shteti e rimori tokën, së bashku me tri prona të tjera që Yeffet i kishte marrë me qira afatgjatë. Zyra qeveritare kundër korrupsionit ia kaloi dosjet e këtyre marrëveshjeve prokurorisë.
Mediat senegaleze raportuan në gusht 2026 se DSC-ja e Yeffetit ishte mes 36 kompanive që prokurorët e krimit financiar po hetonin pas një raporti auditimi të financave publike të Senegalit gjatë qeverisë së mëparshme.
Megjithatë, deri tani ndaj Yeffetit nuk është ngritur asnjë akuzë.
Nigeria dhe Çadi: Afrika që nuk u bë realitet
Senegali nuk ishte i vetmi vend afrikan ku Yeffet është përpjekur të përfshihet.
Në qershor 2014, ministri nigerian i Energjisë nënshkroi një memorandum me Ron Yeffetin, të paraqitur si drejtues i kompanisë amerikane Yeffet Mesika Group, për ndërtimin e një centrali me gaz në deltën e Nigerit, që do të financohej tërësisht nga kompania e Yeffetit.
Atëherë nuk u dhanë të dhëna për kapacitetin, vlerën apo afatin e investimit dhe në fakt centrali nuk u ndërtua kurrë.
Katër vjet më vonë, Yeffet, këtë herë i prezantuar si president i një enti të quajtur Team of African, u prit në pallatin presidencial në Çad për të propozuar një central me biokarburant me investim 300 milionë euro.
Asnjë investim nuk bë edhe në Çad.
Manhatan: T'i shesësh Senegalit ndërtesën e vet
Në vitin 2009, Senegali bleu një truall bosh në rrugën East 44th Street në Manhatan, disa qindra metra larg ndërtesës së Kombeve të Bashkuara.
Trualli, i blerë për rreth 24 milionë dollarë, ishte parashikuar për ndërtimin e 'Maison du Sénégal', një ndërtesë shumëfunksionale ku do të vendosej Misioni i Senegalit në OKB, do të kishtë një qendër kulturore, si dhe zyra e apartamente për diplomatët.
Qeveria senegaleze nënshkroi një letër interesi me një kompani amerikane për të realizuar ndërtimin. Por, pak muaj më vonë, pasi në pushtet erdhi presidenti Macky Sall, Senegali u tërhoq nga ky angazhim në favor të një kompanie rivale në pronësi të Ron Yeffetit.
Partneri fillestar e paditi Senegalin në vitin 2013, por çështja u zgjidh jashtë gjykatës.
Pas kësaj, Senegali i transferoi kompanisë së Yeffetit gjysmën e pronësisë mbi truallin për 25 milionë dollarë. Duhet theksuar se, në atë kohë, kompania e Yeffetit kishte borxhe të papaguara ndaj bankës së vet (siç shpjegohet më poshtë lidhur me çështjen e Signature Bank).
Mbi truall u ndërtua një kullë 19-katëshe me partnerë zhvillues Isaac Yeffetin, ambasadorin e atëhershëm të Senegalit në OKB dhe një ndërtues amerikan të quajtur Adam Gordon.
Pasi ndërtesa përfundoi, në vitin 2020, Senegali pagoi 24.6 milionë dollarë për të blerë katin përdhes të saj për misionin në OKB dhe 15 apartamente.
Pra, Senegali bleu zyra në një ndërtesë që ngrihej mbi tokën që vetë e kishte zotëruar plotësisht më parë.
Thënë thjesht, Senegali pagoi 24 milionë dollarë për të blerë tokën, mori 25 milionë për gjysmën e truallit, dhe më pas pagoi 24.6 milionë të tjera për të blerë zyra dhe apartamente në ndërtesën që u ngrit mbi truallin.
Partnerët Yeffet–Gordon mbajtën pjesën tjetër të kullës për ta shitur.
Shtypi senegalez e quajti skandal. Marrëveshja u hetua dhe u gjetën parregullsi, përfshirë faktin se çmimi i blerjes së truallit ishte shumë më i lartë se tregu, por nuk u ngritën kurrë akuza penale.
Në fund, e gjitha rezultoi një marrëveshje shumë e leverdishme vetëm për njërën palë: atë të Ron Yeffetit.
Togo: ndërtesa e misionit merret falas, përdoret për kolateral dhe pastaj shembet
Çështja e Togos ndjek të njëjtin model si Maison du Senegal, por me një përfundim edhe më dramatik.
Për 50 vjet, Togo zotëronte një ndërtesë të vogël në adresën 112 East 40th Street në Manhatan, ku ishte vendosur misioni i saj pranë Kombeve të Bashkuara.
Në fund të vitit 2018, sipas padisë së ngritur nga Togo në vitin 2024, Ron Yeffet, i ati dhe Adam Gordon i paraqitën autoriteteve togoleze një ofertë: na jepni ndërtesën e misionit, ne do ta shembim dhe do të ndërtojmë me financimin tonë një të re brenda dy vjetësh; ju do të merrni katin e parë për misionin, ndërsa ne do të shesim apartamentet sipër tij.
Togo pranoi, nënshkroi marrëveshjen në janar 2019 dhe ia kaloi titullin e pronësisë një kompanie të lidhur me Yeffetin, pa asnjë shpërblim. Misioni i Togos u zhvendos në zyra me qira për të pritur ndërtesën e re.
Ajo që Togo pretendon se ndodhi më pas është e thjeshtë.
Zhvilluesit morën një hua gjashtë milionë dollarë duke vënë ndërtesës që sapo u ishte dhënë si kolateral dhe më pas ia kaluan kredinë një huadhënësi privat.
Ata nuk ndërtuan kurrë asgjë.
Ndërtesa bosh u la të rrënohej derisa, në verën e vitit 2024, çatia dhe muri ballor u shembën. Bashkia e Nju Jorkut urdhëroi prishjen e saj si rrezik për publikun.
Kështu, një shtet sovran mbeti pa zyra, pa titull pronësie dhe me tokën e saj kolateral për borxhet e dikujt tjetër.
Togo i paditi Yeffetin, të atin e tij dhe Gordonin, si edhe kompanitë e tyre, për mashtrim për të paktën 30 milionë dollarë, duke kërkuar kompensimin ose kthimin e tokës pa barrë kredie.
Në padi, kompanitë cilësohen si kompani boshe përmes të cilave Yeffetët dhe Gordoni përvetësuan paratë që kishin marrë hua në bankë duke lënë peng tokën në pronësi të Togos.
Çështja është ende e hapur në një gjykatë të Nju Jorkut.
Një hollësi e lidh çështjen me atë të senegalit: kompanitë japin si adresë kullën që e njëjta treshe ndërtoi në aferën me Maison du Senegal.
Majami: 'investime' inekzistente, borxh i papaguar
Në vitin 2018, pas daljes në pension, një tregtar energjie i quajtur Mark Faist u vendos në Majami. Atje ai u njoh me Yeffetin, që qëlloi fqinj i tij në Fisher Island, një kompleks ekskluziv pranë Miami Beach.
Sipas padisë së ngritur nga Faist në mars 2026, Yeffet shpenzoi dy vjet duke kultivuar marrëdhënien me të përpara se t'i kërkonte atij para për t'ia investuar.
Yeffet e prezantoi Faistin me familjen e tij, i tregoi për bamirësitë që bënte dhe besimin e tij fetar dhe iu mburr me 'avionët privatë, jahtet luksoze dhe orët e shtrenjta'.
Në mars 2020, ndërsa pandemia i kishte mbyllur aeroportet amerikane, Yeffet fluturoi me avionin e tij privat drejt Parisit me çiftin Faist.
Ai i shëtiti ata në Versajë dhe i prezantoi me kryeministrin e Shqipërisë me të cilin hëngrën një darkë private.
Ihste fundi i vitit 2020, kur Yeffet i paraqiti Faistit një 'mundësi që vjen një herë në jetë' për të blerë me çmim të ulët prona në prag falimentimi në Nju Jork.
Ai i premtoi Faistit se do ishte 'partneri i parë dhe i vetëm' i Yeffetit duke e siguruar se nuk kishte asnjë mundësi të dilte me humbje nga ky lloj investimi.
Për më tepër, Yeffeti i premtoi Faistit se mund të tërhiqej në çdo kohë dhe, në rastin më të keq, do t'i merrte paratë e tij mbrapsht.
Faist u bind dhe i dërgoi 8.6 milionë dollarë kompanisë së Yeffetit, në një sërë transaksionesh sipas 'mundësive' të investimit që Yeffeti i paraqiste rast pas rasti.
Mes transfertave, Yeffet e shëtiste Faistin nëpër botë: në Shqipëri, Romë, St Barts, Bordo, sërish në Paris, Kapri.
Në Shqipëri, thuhet në padi, të dy udhëtuan 'të shoqëruar me eskortë sigurie', qëndruan në një kompleks të ruajtur qeveritar, ku shërbenin kuzhinierë të posaçëm. Yeffet gjithashu e joshi Faistin me 'mundësinë e sigurimit të një pasaporte shqiptare'.
Një herë tjetër, kur ishin në plazhin e St Barts, Yeffet i tregoi Faistit se ai e kishte kaluar një miliardë dollarë pasuri që në vitin 2013.
Ndërsa koha kalonte dhe Mark Faisti nuk po shihte fitime, ai i kërkoi Yeffetit dokumentet e investimeve, por nga Yeffet mori vetëm garanci gojore se investimet ishin të sigurta.
Në fillim të vitit 2025, tashmë krejtësisht dyshues, Faisti kërkoi kthimin e parave. Por Yeffet i ktheu vetëm një milion dollarë, pa i caktuar ndonjë datë për pjesën tjetër.
Faist e kërcënoi me padi për mashtrim dhe Yeffet u detyrua në shtator 2025 të nënshkruante një marrëveshje marrje borxhi.
Sipas marrëveshjes, Yeffet dhe kompania e tij R&I Trading pranuan përgjegjësinë për t'i paguar Faistit 7.6 milionë dollarë plus interesin, brenda 90 ditësh, që më vonë u zgjat edhe me dy muaj.
Afati kaloi, por Yeffeti nuk pagoi.
Faisti e paditi Yeffetin në gjykatën e Majamit për mospagesë borxhi.
Yeffet u përgjigj me kundërpadi për baltosje.
Në kundërpadi, Yeffet pretendon se, për shkak të shpifjeve të Faistit për çështjen, të cilat ishin raportuar në mediat shqiptare, atë e kishin përjashtuar nga një projekt ndërtimi në Shqipëri i cili do t'i sillte 30 milionë dollarë fitime.
Padia dhe kundërpadia priten të shqyrtohen në gjykatën e Majamit.
Ndërkohë, avokatët fillestarë të Yeffetit u tërhoqën, duke përmendur tarifa të papaguara.
Një varg çështjesh të tjera në gjykatat amerikane
Çështja Faist është më e madhja mes çështjeve ligjore të Yeffetit, por jo e vetmja.
Në tetor 2013, pikërisht kur Senegali po e zgjidhte si partner për kullën në East 44th Street, Signature Bank e paditi Yeffetin dhe kompaninë e tij të ndërtimit në Nju Jork për një hua prej 250 mijë dollarësh që kompania nuk e kishte shlyer. Çështja u zgjidh me marrëveshje.
Në vitin 2019, pronarët e një apartamenti me qira 15 mijë dollarë në muaj në Porsche Design Toëer, ku Yeffet banonte në vitin 2019, e paditën atë për dëme në apartamentit që Yeffet i kishte fshehur duke zhvendosur mobilijet.
Yeffeti e injoroi çështjen derisa gjykata e urdhëroi të paraqitej. Yefeft kundërpaditi por ajo nuk u pranua nga gjykata dhe pastaj çështja u zgjidh me marrëveshje.
Në vitin 2020, kompanitë e Yeffetit paditën një ofiçinë në Konektikat për punë të dobët në veshjen e sediljeve të një avioni Gulfstream që Yeffet kishte blerë në vitin 2018 — me sa duket, avioni më të cilin ai çoi Faistët në Paris.
Në gusht 2025, një kantier riparimi anijesh në Majami e paditi Yeffetin për 55 mijë dollarë fatura të papaguara riparimi dhe magazinimi për motoskafin e tij. Yeffet ngriti kundërpadi, duke pretenduar se punimet ishin të dobta dhe 'duheshin bërë nga e para'. Në shkurt 2026, gjyqtari e hodhi poshtë kundërpadinë si të pabazë. Çështja vazhdon në gjykatë.
Shumat monetare në këto çështje mund të duken të papërfillshme. Por rrjedha e tyre është domethënëse: fillimisht një detyrim, pastaj refuzim, pastaj heshtje derisa gjykata bëhet gati të veprojë, pastaj kundërakuzë dhe në fund një marrëveshje.
Shumë emra, shumë kompani
Një vështirësi praktike në gjurmimin e Yeffetit është se ai rrallë shfaqet dy herë me të njëjtën formë emri. Sipas rastit ai është Ron Yeffet, por edhe Ron Yefett dhe Ron Yaffet.
Kompanitë e tij shumohen në të njëjtën mënyrë, një për çdo marrëveshje dhe për çdo vend:
— R&I Trading dhe RY Aviation në Shtetet e Bashkuara;
— GSR Concrete dhe East 44th Developers për kullën 'Senegal House' në Nju Jork;
— 40th Development, CMSJ Development dhe CMSJKA Capital për ndërtesën e Togos në Nju Jork;
— Yeffet Mesika Group në Nigeri;
— Team of African në Çad;
— Develop Sénégal Company (DSC) në Senegal;
— Uno18, 1820 Black Oil, 1820 Albania, Timak, Timak Defence, Timak Aviation, Timak Specil Vehicles, Timak Horse Club, Advanced Arms Technology në Shqipëri.
Secila është kompani e vogël, e krijuar pak para kontratave që kanë përfituar dhe me kapital minimal.
Vlera e tyre qëndron tek marrëdhëniet me pushtetin, jo tek kapitali.
Efekti, i qëllimshëm apo jo, i manovrimeve me shumë kompani është se asnjë njeri, asnjë gjykatë apo gazetar nuk e sheh dot menjëherë të gjithë panoramën e përpjekjeve të tij. Kontrolli i historikut të një kompanie të vetme zbulon shumë pak nga e shkuara e tij.
Në fund goditja e madhe: Shqipëria
Yeffet është bërë nënshtetas shqiptar në nëntor 2018. Nuk dihet se për çfarë arsye i është dhënë nënshtetësia, dhe se snga i lindi interesi për Shqipërinë.
Persona që e njohin i thanë Exit.al se Yeffet ka ardhur në Shqipëri për shkak të marrëdhënies së mëparshme me kryeministrin Rama, por nuk dihet se si dhe kur ata janë njohur me njëri-tjetrin.
Sidoqoftë, të gjithë pohojnë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes tyre.
Sikurse në Senegal, miqësia me kreun e vendit ja ka hapur të gjitha dyert Yeffetit në Shqipëri.
Për herë të parë ai u shfaq formalisht në vitin 2018, kur për pak kohë ishte aksionar në pakicë në kompaninë që zotëronte një pjesë në Air Albania.
Një burim i konfirmoi Exit.al se ishte kryeministri ai që siguroi partneritetin e tij në këtë kompani. Në fund Yeffet u largua nga kompania për shkak të kundërshtimit të partnerit turk të Air Albania.
Për disa vjet emri i Yeffet nuk u shfaq më në publik (në përgjithësi ai qendron larg daljeve dhe fotografimeve publike).
Por miqësia e tij me kryeministrin vazhdonte — padia e Mark Faistit tregon se, në fillim të vitit 2020, Yeffet e solli kryeministrin në darkë me Faistin dhe gruan e tij.
Në nëntor 2020, në mes të pandemisë, Yeffet e shëtiti Faistin nëpër Shqipëri i shoqëruar nga një sërë makinash me eskortë sigurie dhe t'i premtonte atij një pasaportë shqiptare, të cilat janë mundësuar nga qeveria në mos vetë kryeministri.
Tre vjet më vonë, Yeffet vendosi të përfshihet formalisht. Ai krijoi më 2023 dy kompani, 1820 Black Oil dhe 1820 Albania, për tregti karburantesh dhe teknologji informacionit, respektivisht, sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve.
Një kompani tjetër, UNO18, ai e themelua më 2024 me objekt furnizimin dhe shitjen e pjesëve të këmbimit për mjete lufturuese. Asnjëra prej tyre nuk ka pasur ndonjë aktivitet që atëherë.
Gjërat ndryshuan në vitin 2025.
Në qershor, Yeffet bleu për 500 euro 49% të aksioneve të Timak, një kompani që përshtat karroceri automjetesh, me pronare të vetme Arjeta Pucën.
Disa ditë më parë, Këshilli i Ministrave kishte autorizuar kompaninë shtetërore të mbrojtjes Kayo të negocionte një 'partneritet publik-privat' për prodhimin dhe furnizimin me automjete ushtarake.
Në fillim të gushtit, Kayo zgjodhi pikërisht Timakun dhe krijoi Timak Defence, në të cilën Timak zotëron 80% të aksioneve, ndërsa shteti shqiptar përmes Kayos vetëm 20%.
Kjo do të thotë se Yeffet zotëron një interes prej thuajse 40% në kompaninë që furnizon Forcat e Armatosura praktikisht me të gjitha automjetet dhe pajisjet ushtarake.
Për më tepër, për shkak të strukturës së pronësisë, ngaqë qeveria zotëron aksione pakice, Timak Defence nuk i nënshtrohet rregullave të prokurimit publik.
Pak muaj më pas, Kayo krijoi një tjetër sipërmarrje të përbashkët me kompaninë UNO18 të Yeffetit. Advanced Arms Technology, ku UNO18 zotëron 80%, do të prodhojë, blejë dhe furnizojë Forcat e Armatosura shqiptare me dronë dhe armë zjarri të kalibrit të lehtë dhe të mesëm. (Pas kësaj, në UNO18 u bë partnere me 50% Arjeta Puca).
Përmes Timak Defence dhe Advanced Arms Technology, Yeffeti dhe Puca do të marrin dhjetë në mos qindra milionë euro në vit nga kontratat qeveritare.
Me fjalë të tjera, historia shqiptare përsëriti pikë për pikë atë senegaleze: akses përmes kreut të qeverisë dhe kontrata direkte pa tender. Vetëm shkalla e përfitimeve është dukshëm më e madhe se në Senegal.
Metoda Yeffet
Vërini të gjitha episodet e mësipërme krah për krah dhe shfaqet një metodë e qartë biznesi.
Yeffet nuk konkurron për kontrata; atij i jepen kontrata.
Çdo gjë fillon me një marrëdhënie personale me një udhëheqës — president, kryeministër, ministër — në sajë të ssaj ai pastaj siguron kontrata të drejtpërdrejta pa tender, të financuara me para dhe kapital publik.
Fitimi nxirret përmes ristrukturimit dhe jo grabitjes direkte: duke nënkontraktuar punimet për një fraksion të çmimit të kontratës, apo duke i shitur një qeverie pronën e vet, apo duke marrë hua miliona kundrejt një prone publike të marrë pa pagesë.
Në padinë e tij, Faist përshkruan një skemë të ngjashme me ato të përfitimeve përmes mashtrimit: shfaqje të inskenuara të pasurisë, mburrje për akses tek udhëheqës politikë, xheste të vazhdueshme mikpritjeje për të krijuar besim përpara se viktimës t'i kërkohen para apo përfshirje në 'investime'.
Me këtë metodë, faist pretendon se Yeffet përdori kryeministrin Rama për të fituar besiin që pastaj t'i merrte më shumë se 8.6 milionë dollarë.
Edhe pse pretendon se është sipërmarrës dhe investitor i suksesshëm, ne nuk gjetëm dot asnjë provë publike që tregon se Yeffet ka operuar në treg të hapur: të gjitha sipërmarrjet e dokumentuara të tij kanë pasur klientë ose partnerë vetëm qeveri.
Ato pak gjëra që ka ndërtuar janë financuar po nga qeveritë ose me kapital të siguruar kundrejt pronave të dhëna nga qeveritë.
Ato që ka propozuar t'i financonte vetë, nga centralet elektrike në Nigeri te misioni i Togos e deri te investimet që i premtoi Faistit, nuk prodhuan asgjë, të paktën sipas informaconit publik.
Dhe tani kur duket se historitë i janë kthyer kundër, ai po përpiqet t'i varrosë ato.
Mes prillit dhe qershorit 2026, në internet u shfaqën një faqe personale, një seri njoftimesh për shtyp atribuar Yeffetit, si dhe një varg 'intervistash' të paguara në Brainz Magazine, BM Magazine, Winger Daily, openPR dhe faqe të ngjashme, të cilat e paraqitin Yeffetin si një 'drejtues ndërkombëtar projektesh' me vepra në infrastrukturë dhe energji 'në të gjithë Afrikën' dhe Evropë.
Asnjëra prej këtyre botimeve online nuk përmend me emër qoftë edhe një projekt, klient, kontratë apo kompani.
Një njeri me vepra të suksesshme i emërton ato.
Një njeri që mundohet të pastrojë imazhin fshhet pas fjalëve të përgjthshme bombastike.
Por ndoshta kaq mjafton për të joshur politikanë në Afrikë apo Shqipëri./ Exit.al
(0)Comments