Screenshot
Kryeministri Edi Rama ka bërë thirrje për t'u bërë pjesë e Rrjetit MIA, nismë e Agjencisë për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë, duke njoftuar se deri tani janë regjistruar mbi 100 aplikime.
'Edhe tre ditë për t'u bërë pjesë e Rrjetit MIA!' , shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale, ku fton profesionistë, ekspertë, të rinj dhe krijues që t'i bashkohen procesit të reformimit të komunikimit publik.
Rama thekson se aplikantët kanë dy mundësi: të punojnë pranë strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore ose të bashkëpunojnë me Agjencinë për Media dhe Informim duke propozuar ide, projekte apo zgjidhje të reja. Në fokus janë profesionistët me aftësi në komunikim, media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të të dhënave.
Postimi i plotë
EDHE TRE DITË për t'u bërë pjesë e Rrjetit MIA!
Agjencia për Media dhe Informim pranë Kryeministrisë fton profesionistë, të rinj (jo thjesht në moshë po në mendësi:-), ekspertë dhe krijues që të na bashkohen në këtë fazë të re reformimi. Ftesa ka dy mundësi:
1-PUNO ME NE
Bëhu pjesë e strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore.
2-BASHKËPUNO ME NE
Propozo një ide, projekt apo zgjidhje për përmirësimin e komunikimit publik. Kërkohen aftësi dhe ide në komunikim, media, teknologji, inteligjencë artificiale, video, dizajn dhe analizë të dhënash.
Nëse je gazetar, krijues, dizajner, programues, ekspert i teknologjisë apo ke qoftë edhe një ide se si mund ta bëjmë komunikimin publik më të mirë, apliko për t'u bërë pjesë e Rrjetit MIA ose bashkëpunëtor i Agjencisë për Media dhe Informim.
Ne kërkojmë talent, energji, ide e mbi të gjitha vullnet për kontribute të reja në komunikimin publik të së nesërmes dhe premtojmë një proces vlerësimi meritokratik të çdo kandidati. Sepse ne duam thjesht më të mirët.
Deri tani kemi marrë një numër surprizë aplikimesh që sapo ka kaluar mbi 100.
-Apliko në: info@mia.gov.al
-Afati: 10 shtator 2026, ora 23:00.
(0)Comments