Politikani i lartë socialist dhe ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj, ka ardhur me intervistën e pestë nga arratia. Përballë gazetarit 'Çim Peka', Ahmetaj ka 'hapur zemrën' duke folur me dhimbje për vështirësitë që familja e tij është duke kaluar si pasojë e kësaj përndjekje politike që atij po i bëhet prej më shumë se dy vitesh tanimë.
Ahmetaj tha se sot do të duhej të ishte prej 38 muajsh në paraburgim, duke akuzuar drejtpërdrejt kreun e qeverisë dhe ish-aleatin e tij politik, Edi Ramën, të cilit iu referua si 'kreu i organizatës' dhe 'koka e narkoshtetit'. Ai u shpreh se familja e tij është shpërbërë, fëmijët janë traumatizuar, ndërsa pronat i janë sekuestruar, duke e cilësuar këtë situatë si një brutalitet që sipas tij ka kaluar çdo kufi.
'Unë sot e kam familjen të shpërbërë, i kam fëmijët të traumatizuar, i kam pronat e sekuestruara, vetë psikologjikisht dhe shpirtërisht jam në burg prej 38 muajsh', tha Ahmetaj, duke shtuar se përgjegjësinë për këto vuajtje ia atribuon 'kreut të organizatës', Erion Veliajt dhe një ish-ministri, emrin e të cilit tha se do ta bëjë publik në një moment tjetër.
'Unë nuk e di nëse PS do të shpëtojë nga ai (referuar Ramës). Shqipëria do të shpëtojë', u shpreh Ahmetaj më tej.
Pjesë nga fjala e Arben Ahmetajt:
Për qytetarët unë sot do të isha 38 muaj në paraburgim. Unë isha deputet, u shkarkova nga kreu i organizatës, por sigurisht simbolin e kaloj dhe sot pas 38 muajsh unë do të numëroja dhe familja ime ditët e burgut. Pse? Sepse deshtë kreu i organizatës. Unë i kërkoja votat për PS, për atë Parti Socialiste që akoma unë besoja, akoma nuk ishte mbërthyer nga tentakulat kanceroze të kreut të organizatës.
Sot, në Gjykatë ka dy çështje, çështja Buka dhe pseudo-inceneratorët. Pse e them pseudo? Dhe brutaliteti ndaj çështjes time dhe familjes time ka kaluar në nivel gjenocidi. Unë sot e kam familjen të shpërbërë, i kam fëmijët të traumatizuar, i kam pronat e sekuestruara, vetë psikologjikisht dhe shpirtërisht jam në burg prej 38 muajsh. Nuk janë sekret vuajtjet e familjes sime, nuk i fsheh dot më. Janë dhe do jenë në sytë e të gjithë qytetarëve dhe janë vepër e kreut të organizatës, Erion Veliajt, e një ish-ministri që do të rezervohem sot t'ia them emrin. Kam të drejtat e mia të vendos dhe unë shpresoj që para se të vijë dita që unë të jem në Shqipëri dhe të përballem me një drejtësi të çliruar dhe i lutem Zotit të më lërë gjallë që të përballem dhe me intrigantët, do të kemi takime të tjera bashkë sepse e keqja e Shqipërisë sot do betejë për të çrrënjosur.
Do kemi shumë ngjarje.
Kreu i organizatës ka rënë, është si kioskat e '91 që nuk ka çfarë të shesë më. Sot kreu i organizatës ngjan me një kioskë që nuk ka çfarë të shesë më. I ka shitur të gjitha, ia ka dalë. Kemi dhe ne gabimet tona, por jo faj as krime. Unë kam përgjegjësi të lartë morale sepse kam punuar pa asnjë hile që ai të fitonte. Dhe PS të fitonte së bashku me të, sepse do ta them dhe më pas, ky njeri e filloi rrugëtimin në krye të qeverisë si shpresa e shqiptarëve për të mbyllur tranzicionin dhe sot ia ka dalë të jetë qeliza alfa kancerogjene në trupin e Shqipërisë dhe të PS. Unë nuk e di, është e trishtë. Nuk e di nëse PS do të shpëtojë nga ai. Shqipëria do shpëtojë.
Pjese nga intervista e Arben Ahmetajt
ÇIM PEKA: Mirëmbrëma. Jemi në intervistën e pestë me Arben Ahmetajn, ish-zëvendëskryeministër, ish-ministër i Financave, disa funksione në qeverinë e Partisë Socialiste të Edi Ramës, nëse konsiderohet Parti Socialiste. Intervistë që e kemi anonçuar dhe kësaj radhe, përveç dokumenteve, do të kemi edhe një audiopërgjim i cili sigurisht do të ngjallë shumë reagim. Nuk pres nga drejtësia e re, nuk pres nga kryeministri, por pres që opinioni të hapë sytë aq sa mundet.
Dhe në fund të mos vazhdojë pyetja e zakonshme që propaganda e Edi Ramës është: 'Nuk kishte fakte, kishte vetëm akuza të pashoqëruara me dokumente'. Kësaj radhe do të keni edhe një audiopërgjim. Dhe janë personazhe jo pak të rëndësishëm, janë personazhe me të cilat Edi Rama, siç do ta shikoni dhe gjatë përgjimit, i bën punët e pista. Zoti Ahmetaj, mirëmbrëma.
ARBEN AHMETAJ: Mbrëma. Faleminderit për gatishmërinë, por edhe për guximin. Po e filloj si zakonisht, si çdo emision. Cila është fotografia momentale e juaja në raport me SPAK-un? Do ta zgjeroja pak në raport me drejtësinë dhe gjatë bisedës sonë do t'i referohemi si segmente të caktuara brenda SPAK-ut dhe brenda drejtësisë, sepse kurrë nuk do t'i fusja të gjithë prokurorët apo të gjithë gjyqtarët në të njëjtin thes.
Unë akoma dhe sot besoj që ka dhe do të ketë prokurorë, ka dhe do të ketë gjyqtarë që do të kontribuojnë në rivendosjen e sistemit kushtetues në drejtësinë e deformuar që ekziston sot.
ÇIM PEKA: Gjëja që më lodh më shumë në çdo intervistë me personazhe shumë të rëndësishëm është kur mundohen të lënë dhe një kanal mirësie apo besimi ndaj një institucioni. Më thuaj një emër gjyqtari që ty të bind në këto shtatë vjet apo një emër prokurori. Se kjo 'kurrë nuk do t'i fusja të gjithë në një thes'...
ARBEN AHMETAJ: Shiko, e vërteta është shumë e rëndësishme, si mirësia apo sesa eleganca. Mirë, meqenëse nuk do t'i fusësh të gjithë në një thes, më thuaj një emër gjyqtari apo prokurori të SPAK-ut që ty të bind në këto shtatë vjet?
Nuk shquhem për ndonjë elegancë në denoncimet e mia. Shquhem, fatmirësisht, me ndihmën e dokumenteve, me ndihmën e shumë qytetarëve, me ndihmën e shumë administratorëve, me ndihmën e shumë ish-punonjësve të shërbimeve, që të kem sjellë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe aspak me elegancë...
ÇIM PEKA: Por një emër prokurori dhe një emër gjyqtari që ju ka bindur apo keni besim në këto 7 vjet?
ARBEN AHMETAJ: Një marrëveshje fjale, në qoftë se do të më ndërprisni s'do të arrijmë, do të kemi rrjedhjen, po unë do të vij aty. Të premtoj.
ÇIM PEKA: Unë do të ndërpres keq e sigurt, por gjithsesi, një emër gjyqtari dhe prokurori që ju ka bindur në këto 7 vjet.
ARBEN AHMETAJ: Pra, thashë, do të ketë dhe jo pa qëllim, sepse do të ndodhin shumë ngjarje. Thashë, do të ketë prokurorë dhe gjyqtarë që nuk do të bëjnë, ashtu siç nuk duhet ta bëjnë, dominionin e Zotit, po do të bëjnë gjyqtarin dhe prokurorin me përgjegjësi publike dhe nuk do ta quajnë si punë të zakonshme, por do ta quajnë si mision kombëtar.
Është e drejta ime të kem besim dhe shpresë. Dhe do t'i referohem edhe më pas. Megjithatë...
ÇIM PEKA: Siç pate, siç pate kur e votove drejtësinë e re dhe që u bëtë kurban i saj...
ARBEN AHMETAJ: Ne e kemi ndarë edhe këtë moment dhe unë kam qenë i bindur që të votoja drejtësinë e re ishte mision kombëtar. Sigurisht që i kam kërkuar dhe falje publikut për besimin tim ndaj kreut të organizatës. Nuk e mendoja kurrë, me të qenit i sinqertë, që deformimi do të fillonte që nga vetingu.
Shqiptarët duhet ta dinë, vetingu është bërë nën kujdestari politike të kreut të organizatës. Dhe kanë qenë tre personazhe kryesorë në veting. Një, këshilltarja e kryeministrit që nga zyrat e kryeministrisë shkoi në veting; dy, motra e plaçkitëses, motra e Belinda Ballukut; dhe vajza e një miku të hershëm të kreut të organizatës. Dhe kam sjellë shembuj se si, për të njëjtat episode dhe fenomene, dikush është skualifikuar nga...
ÇIM PEKA: Mos u flit me emra. Po thoni këshilltarja Sanxhaktari, vajza e mikut Genta Bunga, dhe motra e plaçkitëses, motra e Belinda Ballukut. Këta janë tre personazhet që kanë drejtuar vetingun.
ARBEN AHMETAJ: Ekzaktësisht. Është nepotizëm politik dhe familjar i drejtpërdrejtë. Në ç'vend të botës ndodh kjo? Dhe pastaj gjejmë ndonjë fletë-raporti ku i referohen pseudo-reformës si sukses.
E kam thënë ditën një kur kemi bërë intervistën bashkë. Një investim i cili deformohet duhet korrigjuar. Dhe unë prapë e theksoj sot dhe po ta them, përpara se të ndaj me qytetarët situatën time, situatën e familjes sime.
Unë sot prapë përsëri kam besim tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tek vendet anëtare, e theksoj, tek vendet anëtare. Dhe zoti Peka, po të shtoj, shpresoj dhe kam besim që edhe Gjykata Kushtetuese, si niveli më i lartë, dhe Gjykata e Lartë kanë mundësi, dhe unë kam shpresë, të rivendosin rendin kushtetues në drejtësi.
Segmente të SPAK-ut dhe segmente të drejtësisë kanë përmbysur rendin kushtetues në pseudo-drejtësi. E kam thënë që Aranit Çela do t'i kishte zili me sjelljet, shkeljet, brutalitetin dhe daljen nga ligji që kanë bërë segmente të SPAK-ut dhe të drejtësisë.
(0)Comments