Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, sot në emisionin 'Vesti Plus' në Kanal 5, theksoi se po punohet intensivisht për zbardhjen e rastit të vrasjes së djalit 26-vjeçar mbrëmë në Çair, duke theksuar se MPB-ja ka informacione fillestare për autorët dhe se njëri prej tyre aktualisht po vuan dënimin me burg.
Toshkovski theksoi se janë siguruar prova adekuate dhe shpreson se autorët sa më shpejtë të kapen dhe t'i nënshtrohen ndjekjes penale.
'Në këtë moment, zyrtarisht nuk mund të ndajë cilat janë motivet. Mund të theksoj vetëm se po punohet intensivisht në veprën penale në fjalë. Ministria e Punëve të Brendshme ka informacione fillestare për autorët. Ekzistojnë gjithashtu prova të mjaftueshme në lidhje me atë se kush janë autorët, kështu që shpresoj se do t'i sigurojmë ato sa më shpejt të jetë e mundur dhe ata do t'i nënshtrohen ndjekjes penale, siç, le të themi, ishin shumë veta gjatë periudhës së kaluar, me të cilin kanë kryer një numër të madh të veprave penale viteve të fundit. Dhe tani kemi një rast të tillë', tha Toshkovski në lidhje me vrasjen e djeshme në Çair.
Njëzet e gjashtë vjeçari në Çair u vra nga dy sulmues në motoçikletë.
Toshkovski theksoi se ekziston problem me ndikimin e sistemit penitenciar, respektivisht me burgjet dhe atë që ndodh në to, në qytete dhe në tërë vendin, duke theksuar se kjo ishte edhe temë në një konferencë, në të cilën ai mori pjesë së bashku me OSBE-në dhe disa diplomatë të huaj në vend, përfshirë ambasadoren amerikane.
'Dhe tani kemi një rast të tillë. Sipas informacioneve fillestare që kam, një nga pjesëmarrësit në këtë ngjarje kriminale është person i arrestuar nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe i cili aktualisht po vuan dënimin me burg. Nëse është lëshuar, liruar apo diçka tjetër, ende është herët për të hyrë në hollësira. MPB-ja, së bashku me Prokurorinë publike, do ta hetojë plotësisht situatën', tha Toshkovski.
Lidhur me atë nëse bëhet fjalë për përplasje midis bandave kriminale apo akt individual dhune, ministri deklaroi se sipas informacioneve fillestare, nuk bëhet fjalë për grup të organizuar kriminal që po përplaset për dominim në terren, por për disa arsye të tjera. Ai shtoi se në këtë pikë është ende herët për të njoftuar hollësira për opinionin dhe theksoi se duhet të lihet që hetimi të përfundojë punën e tij.
Ai gjithashtu u dërgoi mesazh të gjithë atyre që konsiderohen të paprekshëm se do të përgjigjen për veprimet e tyre.
'Mund t'u dërgoj mesazh të gjithë atyre që mendojnë se janë të paprekshëm dhe që ndoshta mendojnë se mund të enden rrugëve të Maqedonisë: ata do të marrin përgjigje adekuate nga MPB-ja dhe të gjitha veprimet hetimore që duhen kryer do të kryhen sa më shpejt të jetë e mundur. Shpresoj që në periudhën sa më të shkurtër ata do të kapen dhe të sillen para drejtësisë. Ne e kemi vërtetuar këtë shumë herë në këtë periudhë prej dy vitesh e gjysmë. Për shembull, mund të veçoj vetëm një veprim që ishte drejtuar ndaj një grupi të organizuar kriminal. MPB-ja, së bashku me Prokurorinë publike, arritën të ndriçojnë mbi shtatë vepra penale – vrasje që ndodhën në territorin e Maqedonisë në vitet e kaluara. Nga këto, për gjashtë u dëshmua se janë kryer në territorin e Maqedonisë, ndërsa një është kryer në fqinjin tonë jugor', tha ministri Punëve të Brendshme
(0)Comments