Në 9 qershor 2026, autoritetet portuale të Barit, ndalojnë drejtuesin francez të një furgoni, në të cilin po transportoheshin 3 raketa lufte 'Akeron'. Shoferi 46-vjeçar, Régis Claude Albert Normand, u tha oficerëve të Guardia di Finanza se pajisjet ushtarake i kishte marrë në Greqi dhe po i dërgonte në Francë.
Ai tha gjithashtu se ishte pajisur me dokumentacionin përkatës nga kompania e prodhimeve ushtarake franceze, 'MBDA', për të bërë transportin e tyre. Megjithatë, gjyqtarja e hetimeve paraprake të Barit, Valeria Isabella Valenzi, e vendosi atë në masë ndalimi. Kjo histori kaloi pa zhurmë për më shumë se dy muaj, derisa media italianemësoi për ngjarjen vetëm në 25 gusht të këtij viti. Në foto: Ngarkesa me raketa, e zbuluar në Bari, Itali (foto: Ansa)
Personi i ndaluar dhe avokati i tij kanë këmbëngulur se gjithçka ishte në rregull dhe se ndalimi i shoferi 46-vjeçar është përtej normales. Në momentin e ndalimit, Normand ka deklaruar se ishte punësuar nga 'MBDA France' për të transportuar armë nga Franca në Greqi, ku shoqëria 'Altus Lsa', partneri grek i 'MBDA' do të kryente disa riparime.
Megjithatë, për autoritetet gjyqësore italiane mbetet pikëpyetje se, nëse ka pasur një autorizim nga Ministria Franceze e Mbrojtjes për transportin e tyre, përse ato janë transportuar me një furgon, ndërkohë që ka mënyra e mjete të tjera për realizimin e këtij procesi.
Po ashtu, ndër pikëpyetjet e ngritura në këtë rast është se, nëse vërtetë ka pasur një autorizim të ligjshëm, përse shoferi 46-vjeçar vijon të qëndrojnë ende në masë ndalimi në Itali dhe përse autoritetet franceze nuk e kanë zgjidhur situatën në mënyrë diplomatike.
Çfarë aludon Arben Ahmetaj?
Rasti, për aq sa është raportuar në mediat italiane, nuk ka zgjuar thuajse fare interes në Shqipëri. Të paktën deri në një pikë.
Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në arrati prej të paktën tre vitesh, e rimori si argument ngjarjen e ndodhur në Bari të Italisë, gjatë një interviste për ' Çim Peka Live ', të transmetuar të Hënën e 7 Shtatorit, në ' Syri Televizion '.
' Është kapur një ngarkesë me raketa në Itali ',- tha ai.- Gazetarët investigativë le ta verifikojnë situatën, se nuk është çudi që të dalë ndonjë linjë trafiku armësh në Shqipëri ', tha pak a shumë ai në një pjesë të bisedës televizive. Në foto: Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, në intervistë për 'Çim Peka Live'
Ahmetaj nuk dha më shumë detaje për një lidhje të mundshme mes episodit në Itali dhe Shqipërisë. Megjithatë, kjo deklaratë e tij erdhi në kontekstin e akuzave që ai lëshoi ndaj kompanisë publike shqiptare të prodhimit të armëve dhe pajisjeve ushtarake, 'Kayo'.
Në mbështetje të këtyre akuzave, ish-numri dy i qeverisë së Edi Ramës, solli për publikun disa pasazhe nga një audio-përgjim 3-orësh, në të cilin supozohet se personazhet që flasin janë Ron Yeffet dhe dy shtetas ukrainas, gjatë një takimi në Monako.
Ron Yeffet, shtetas izraelit dhe një mik i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, është aksioner në shoqërinë 'Timak', e cila ka krijuar një bashkëpunim me 'Kayo-n' për ngritjen e një konglomerati shoqërish, me aktivitet nga prodhimi i armëve e deri tek pajishet e uniformat ushtarake.
Bashkëpunimi ndërmjet 'Kayo' dhe 'Timak', me aksioner Ron Yeffet, ka marrë autorizimet nga qeveria shqiptare për aktivitetin e tyre, duke shmangur procedurat normale tenderuese.
Gjatë audio-përgjimit të publikuar nga Ahmetaj, rezulton një pjesë e bisedës, në të cilën Ron Yeffet u thotë bashkëbiseduese se një bashkëpunim i mundshëm mes tyre për shitjen e armëve do të mbulohet me një aureolë për të shmangur problemet.
' Kompania do të jetë amerikane që ti mbyllim gojën dhe ambasadës amerikane '. Yeffet duket se ka edhe planin për shmangien e garave e tenderat me anë manipulimit të ngritjes së kompanive tip Kayo. Në foto: Pjesë nga audio-regjistrimi i publikuar në 'Syri TV'
Bashkëbiseduesit ukrainas thonë se në qeverinë e tyre, blerja e makinave dhe pajimeve ushtarake nuk mund te kalojë pa garë. Në një moment interesant, Ron Yeffet u thotë bashkëbiseduesve: ' ne jemi ngarkuar nga qeveria shqiptare për të kryer punët e këqija' .
Në intervistë, Arben Ahmetaj tha se ' jemi duke folur për trafik ndërkombëtar armësh, jo në kuadër të marrëveshjes së NATO-s që ka Shqipëria me Ukrainën. Jemi duke folur për trafik armësh nga vendet e Afrikës që paketohen në Shqipëri dhe marrin rrugën '.
Dhe, pikërisht, në të pikë të intervistës, Ahmetaj citon rastin e sekuestrimit të 3 raketave në Itali.
Negociatat 'Kayo-MDBA'
Deri në këtë moment, nuk ka asnjë detaj që të lidhë episodin e zbulimit të tre raketave në furgonin e 46-vjeçarit francez në Bari me Shqipërinë dhe, specifikisht me kompaninë 'Kayo'.
Gjithësesi, disa të dhëna publike tregojnë se ka një marrëdhënie mes 'Kayo-s' shqiptare dhe kompanisë franceze 'MBDA' të prodhimit të armëve dhe që kishte autorizuar transportin e tre raketave nga Greqia në Francë. Në foto: Ron Yeffet (M) dhe kryeministri Edi Rama (D)
Gjatë një vizite në Francë në qershor të vitit 2025, ish-ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, tha se ishte takuar me përfaqësues të kompanive të mëdha të mbrojtjes, mes të cilave edhe 'MDBA'.
' Zhvillimi i një industrie kombëtare të mbrojtjes, investimi në sisteme me përdorim të dyfishtë dhe trajnimi i personelit tonë për t'i përdorur ato në mënyrë efektive janë tri prioritetet kryesore që udhëheqin modernizimin e Forcave tona të Armatosura ', citohet Vengu në një njoftim zyrtar të asaj kohe.
Aktiviteti i kompanisë 'Kayo' mbështillet nga një perde sekreti dhe opinioni publik shqiptar nuk informohet mbi kontratat e nënshkruara nga kompania publike e armëve.
Gjithësesi, audio-përgjimet e presupozuara, të publikuara nga Ahmetaj, ish-krahu i djathtë i kryeministrit Edi Rama, janë të mjaftueshme për të hedhur sadopak dritë mbi mënyrën se si veprohet me fondet publike të shqiptarëve./boldnews
(0)Comments