Britania e Madhe, Franca dhe Kanadaja janë mes 12 vendeve që kanë vendosur sanksione tregtare ndaj kolonive izraelite në Bregun Perëndimor, në një lëvizje që synon të rrisë presionin ndaj Izraelit për politikën e vendbanimeve në territoret e pushtuara.
Ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, deklaroi në Parlament se "në disa zona të Bregut Perëndimor po ndodh spastrim etnik i palestinezëve", duke shtuar se masat janë "kundër kolonive" dhe "sjelljes së qeverisë izraelite", por "jo kundër popullit izraelit", me të cilin Britania, sipas tij, "ka lidhje të pazgjidhshme".
Londra njoftoi se do të ndalojë importin e mallrave që prodhohen në kolonitë izraelite në Bregun Perëndimor.
Autoriteti Kombëtar Palestinez e cilësoi vendimin e 12 vendeve si "një hap të rëndësishëm konkret" drejt mbajtjes së përgjegjësisë për sistemin e kolonive dhe tha se ai tregon mosnjohjen e situatës së krijuar nga pushtimi.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Sa'ar i quajti deklaratat britanike "skandaloze dhe të rreme" dhe njoftoi se Izraeli "do të mbyllë konsullatën britanike në Jerusalem". Ai paralajmëroi gjithashtu masa të tjera ndaj Britanisë, duke deklaruar: "Kush vepron kundër Izraelit, Izraeli do të veprojë kundër tij".
Mes 12 vendeve që vendosën sanksione tregtare janë edhe Danimarka, Finlanda, Islanda, Irlanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Spanja dhe Suedia.
KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com
Votat totale janë unike
(0)Comments