‘Alarm' në Izrael/ Mbi 1,300 mjekë largohen në tre vjet

‘Alarm' në Izrael/ Mbi 1,300 mjekë largohen në tre vjet
View on original source
Category: Health
Share
Archive
Like
Të paktën 1.370 mjekë janë larguar nga Izraeli gjatë periudhës 2023-2025, sipas një studimi të ri të Universitetit të Tel Avivit. Të dhënat ngrenë shqetësime për një përshpejtim të emigrimit të profesionistëve të kualifikuar nga sistemi shëndetësor izraelit. Rezultatet e studimit, të publikuara të dielën nga gazeta izraelite Haaretz, tregojnë se largimi i mjekëve është intensifikuar gjatë viteve të fundit, në një periudhë të shoqëruar me pasiguri politike dhe të sigurisë. Studiuesit i kanë konsideruar si emigrantë mjekët që kanë qëndruar jashtë Izraelit për më shumë se 270 ditë gjatë vitit të parë dhe që më pas nuk janë rikthyer për të qëndruar në vend për më shumë se tre muaj rresht. Sipas profesiorit Itay Ater, një prej autorëve të studimit, ekonomistët kishin paralajmëruar që në vitin 2023 për një rritje të largimit të profesionistëve të kualifikuar. Sipas tij, shqetësimet nisën gjatë debatit për reformën gjyqësore të qeverisë dhe u shtuan ndjeshëm pas sulmeve të 7 tetorit 2023 dhe luftës që pasoi. Një vëmendje e veçantë në studim i kushtohet mjekëve mbi 45 vjeç. Kjo grupmoshë konsiderohet veçanërisht e rëndësishme për sistemin shëndetësor, pasi këta mjekë zakonisht kanë përfunduar specializimet dhe kanë rol të rëndësishëm edhe në trajnimin e brezit të ri. Të dhënat tregojnë se rreth një në pesë mjekë të larguar gjatë kësaj periudhe ishte mbi 45 vjeç. Largimet janë të dukshme edhe në specialitete të caktuara. Rreth 116 oftalmologë, dermatologë dhe specialistë ORL u larguan nga vendi, duke përfaqësuar rreth 6,2% të mjekëve të këtyre fushave. Ndërkohë, nga Izraeli u larguan edhe rreth 188 kirurgë, ose afërsisht 6% e numrit të përgjithshëm të kirurgëve. Zona e Tel Avivit regjistroi përqindjen më të lartë të largimit, me rreth 5,4% të mjekëve që u larguan gjatë periudhës së studiuar. Shifrat vijnë në një kohë kur sistemi shëndetësor izraelit përballet edhe me një problem tjetër: plakjen e fuqisë punëtore. Një raport i Ministrisë së Financave të Izraelit ka paralajmëruar se rreth 24% e mjekëve specialistë në spitalet publike pritet të arrijnë moshën e pensionit në vitet e ardhshme. Ndërkohë, 25% e tyre e kanë kaluar tashmë këtë moshë, por vazhdojnë të punojnë për shkak të mungesës së stafit. Prof. Ater ka paralajmëruar se shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me situatën aktuale, por me trendin në rritje të largimit. Sipas tij, ky fenomen mund të thellohet më tej pas zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara në Izrael për 27 tetor. Studimi i ri është pjesë e një tabloje më të gjerë të emigrimit nga Izraeli. Një tjetër hulumtim i Universitetit të Tel Avivit, publikuar në gusht, vlerësoi se 268.509 izraelitë u larguan nga vendi gjatë viteve 2023-2025 për një periudhë prej të paktën tre muajsh, shifër që transmetuesi publik KAN e cilësoi si rekord. Lufta, rritja e kostos së jetesës dhe pasiguria politike janë ndër faktorët që janë përmendur në raportet izraelite si arsye të rritjes së emigrimit. Ndërkohë, një sondazh i Kantar për KAN tregoi se rreth një në pesë izraelitë kishte menduar të largohej nga vendi gjatë dy viteve të fundit, ndërsa 12% deklaruan se rezultati i zgjedhjeve të ardhshme mund të ndikojë në vendimin e tyre për të qëndruar apo emigruar. Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

(0)Comments

 

A note on cookies

Newshunt uses essential cookies to keep you signed in and to remember your language and country, so the site works the way you expect. With your permission, we'd also like to use analytics cookies to understand how people use Newshunt and improve it over time.

Accepting only affects analytics. To learn more, view our Privacy Policy or Terms & Conditions.