Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si opozita dhe partia e saj janë pozicionuar përballë zhvillimeve politike dhe bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas saj, do të ishte kontradiktore që kreu i LDK-së të zhvillonte negociata me kryeministrin Albin Kurti në mbrëmje, ndërsa partia të organizonte protestë kundër tij mëngjesin e ditës pasuese.
'Thjesht ka qenë hipokrizi në qoftë se kryetari do të shkonte vetë i treti në bisedime me Kurtin në mbrëmje dhe ne të protestonim në mëngjes', deklaroi Bajrami.
Ajo bëri të ditur se në LDK ka pasur mendime të ndryshme lidhur me këtë çështje. Bajrami vuri në pah se është kundërthënëse të pretendohet se ka ndodhur një shkelje dhe, njëkohësisht, të vazhdohen negociatat me palën që akuzohet për të.
Deputetja theksoi se LDK-ja duhet të vijojë aktivitetin e saj opozitar dhe të merret me temat për të cilat qytetarët e kanë votuar.
'Mendoj që ne duhet të vazhdojmë të bëjmë opozitën, sepse jemi votuar që t'iu tregojmë njerëzve se çka po ndodh me paratë e tyre, taksat e tyre, ligjet dhe rregulloret ', tha ajo.
Bajrami tregoi se oferta e Vetëvendosjes për LDK-në përfshinte tri ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit. Ajo shtoi se kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte bërë publike këtë propozim edhe përmes mediave.
Sipas saj, ky propozim nuk ishte i pranueshëm për LDK-në, pasi partia përfaqësohet me 18 deputetë dhe ka rreth një të tretën e fuqisë elektorale të opozitës.
'E pakta që duhej matematikisht, neve duhej të na takonte 1/3 e Qeverisë, plus duhej të na takonte një prej pozitave të larta, duke marrë parasysh që Parlamentin e ka VV', tha Bajrami.
(0)Comments