Analisti Lirim Gashi ka reaguar me tone ironike ndaj deklarimeve të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, në emisionin 'Rubikon', duke e kritikuar për mënyrën se si, sipas tij, po zhvendoset përgjegjësia politike për krizën institucionale në vend.
Gashi, në një shkrim të tij, ironizon deklaratën e Bajramit se gjashtë deputetë nuk mund ta çojnë vendin në zgjedhje, por se këtë mund ta bëjë vetëm Albin Kurti.
'Bajrami deklaroi se gjashtë deputetë nuk mund ta dërgojnë vendin në zgjedhje dhe se këtë mund ta bëjë vetëm Kurti. Kjo është një arritje e jashtëzakonshme e matematikës politike. Gjashtë njerëz mund të ndikojnë në një proces vendimmarrës, por përgjegjësinë për pasojën e votës së tyre mund ta zhvendosin në mënyrë magjike te njeriu që nuk e ka votën e tyre', shkruan Gashi.
Ai kritikon edhe qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së që kanë deklaruar se nuk do ta votojnë kandidatin për president, Bekim Sejdiun, duke theksuar se një vendim i tillë politik duhet të shoqërohet edhe me përgjegjësi për pasojat e mundshme.
'Gjashtë deputetë të LDK-së kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin kandidatin për president, ndërsa Kryesia e LDK-së e ka miratuar kandidaturën. Pra, kemi një situatë ku një pjesë e opozitës thotë: 'Ne nuk e votojmë'. Dhe pastaj del një zë politik e thotë: 'Ne nuk kemi asnjë rol'. Kjo është afërsisht sikur gjashtë njerëz ta kenë çelësin në dorë, të deklarojnë se nuk do ta përdorin dhe pastaj të ankohen se shtëpia nuk po hapet ', shprehet ai.
Gashi ironizon edhe deklaratën e Bajramit se do ta votonte një qeveri të udhëhequr nga Kurti nëse LDK-ja do të merrte një të tretën e pushtetit dhe njërin prej dy posteve kryesore, presidentin ose kryeministrin, ndërsa ajo vetë ka thënë se nuk do të bëhej ministre në qeverinë e Kurtit.
Sipas tij, këto qëndrime krijojnë një kontradiktë politike.
Në fund, analisti e përqendron kritikën te ajo që e quan 'zhdukje të përgjegjësisë politike', duke thënë se Bajrami ka të drejtë ta kundërshtojë Kurtin dhe të mos e votojë Sejdiun, por jo edhe të shmangë pasojat politike të vendimeve të saj.
'Hykmete Bajrami ka të drejtë ta kundërshtojë Kurtin. Ka të drejtë të mos e votojë Bekim Sejdiun. Ka të drejtë të negociojë për pushtet. Por nuk ka të drejtë logjike të kërkojë që pasojat e vendimeve të veta politike të zhduken nga fotografia. Demokracia nuk funksionon kështu: 'Unë votoj, ti paguan'. Ajo funksionon kështu: 'Unë votoj, vendimi im ka pasoja, por unë mbaj përgjegjësi politike edhe për vendimin tim edhe për pasojat'', shkruan Gashi.
Ai e mbyll reagimin me një tjetër thumbim ndaj asaj që e konsideron 'optikë selektive' në politikë.
'Për Kurtin: mikroskop. Mikroskop elektronik. Nëse duhet, teleskop. Për Radojçiqin: perde. Sa më shumë të urrehet Kurti, aq më e fuqishme bëhet lupa. Sa më shumë të kërkohet të justifikohet Radojçiqi, aq më mirë funksionon amnezia. Mikroskop për Kurtin. Teleskop romantik për Radojçiqin. Kjo nuk është analizë. Është optikë selektive', përfundon Gashi.
(0)Comments