Nëse do të ekzistonte një gjykatë ndërkombëtare, si ajo e Hagës, për krimet mjedisore, qeveria shqiptare duhej të ulej atje, në vend të Ratko Mlladiçit, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.
Dhe kjo vetëm për atë që ka lejuar të bëhet nga ndërtuesit e Korridorit VIII në lumin Shkumbin.
Kalova këtë fundjavë, për herë të parë gjatë kësaj pranverë-vere, në luginën e Librazhdit. E keni parasysh shprehjen për diçka që është grisur keq: 'Sikur e kanë shqyer qentë'?
Fiks ashtu e kanë bërë lumin. Sikur e kanë shqyer qentë dhe hijenat!
Nga Peqini deri në Prrenjas, aty ku kanë shkuar punimet, Shkumbini duket sikur është kthyer në një kantier gjigant. Shtrati i lumit është dëmtuar rëndë, brigjet janë shqyer dhe, në disa vende, traseja e autostradës është shtrirë praktikisht mbi lumë, duke i shtyrë rrjedhën ujit.
Si është e mundur të sillemi në këtë farë feje me mjedisin?
Si është e mundur të shkatërrohet në këtë mënyrë një lumë?
Dhe nuk po flas këtu për cilësinë e punimeve dhe sigurinë e rrugës. Për këtë, një Zot e di se çfarë garancish japin inxhinierët, kur materialet për trasenë merret nga vetë shtrati dhe shpatet e lumit, zhavorr dhe baltë!
Për kujtesë: ajo fotoja e bukur që shihni është rruga në grykën e Kaçanikut, në Kosovë. Edhe ajo rrugë kalon përmes një lugine lumi.
Por atje, në foto, nuk shikon një pemë të prerë dhe as një shkëmb të rrëzuar.
Ndoshta ky është ndryshimi mes të ndërtuarit një rruge dhe të shkatërruarit të një lugine për të ndërtuar një rrugë.
Your email address will not be published.Required fields are marked*
Save my name, email, and website in this browser for the next time I comment.
This site uses Akismet to reduce spam.Learn how your comment data is processed.
(0)Comments