Nga shpallja non-grata dhe izolimi ndërkombëtar, te rikthimi në SHBA – beteja e Sali Berishës përballë sanksioneve dhe kundërshtarëve të tij politikë
Ishte data 31 janar i vitit 2019 kur Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë, bëri deklaratën e bujshme në parlamentin e vendit: 'Sali ti më bëre një pyetje dirkete për bashkëshorten time dhe po te jap nje pergjigje direkte. Abi Bank është një bankë që monitorohet direkt nga Enti i Bankave të SHBA dhe nëse bashkëshortja ime do ishte aksionere të jesh i sigurtë që mua nuk do ma lejonin ta kapërceja oqeanin, Tani kam unë pyetje direkte për ty, Sali ti e kapërcen dot oqeanin me dash? Hajde përgjigju, ti me dash e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse nuk do e japësh je i mirëkuptuar është shumë i gjerë dhe i thellë ai oqean Sali'!
Kushdo që e kujton atë skenë të asaj kohe e njeh faktin sa triumfalist u shfaq aty Edi Rama. Një triumfalizëm dhe madje mburrje për atë që do të vinte pas më shumë se dy vitesh si ndëshkim për Sali Berishën. Edi Rama ishte atë ditë shumë i lumtur, sepse po kumtonte lajmin e shumëpritur për 'groposjen' e kundërshtarit të tij politik. Berisha, edhe pse nuk ishte lider i opozitës, gjatë gjithë kohës kishte denoncuar aferat korruptive e mafioze të qeverisë Rama. Ndoshta ishte zëri i vetëm me një fuqi të pazakontë në këto denoncime. Rama kishte bërë ç'mos që ai të izolohej. Sanksionimi nga ana e SHBA-ve ishte mënyra më denigruese për të. Ndaj dhe kryeministri dhe kreu i mazhorancës shqiptare kishte arsye të ishte aq i lumtur me njoftimin e tij në publik, madje nga foltorja e parlamentit të Shqipërisë, se 'Sali Berisha nuk mund ta kalonte oqeanin' (Atlantik).
Vendimi që Sali Berisha të mos mund ta kalonte Oqeanin, pra të mos shkonte në SHBA, u shpall nga ana e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, dy vjet e katër muaj më vonë, më 19 maj 2021. Megjithatë atë vendim Edi Rama e shijoi shumë kohë më parë! Duhej të ishe orakulli i të gjitha kohëve të dije kaq kohë më parë se çdo të ndodhte me fatin e ish kryeministrit në raport me SHBA-në. Me këtë deklaratë Edi Rama mori mbi vete kësisoj autorësinë e shpalljes non grata të Berishës nga ana e sekretarit të Shtetit Amerikan, Antony Blinken. Natyrshëm shtrohet pyetja: - Nga e dinte kryeministri i Shqipërisë se Sali Berisha ishte sanksionuar de facto, ose do të sanksionohej nga Blinken?! Si e mori ai vesh këtë sanskionim të kundërshtarit të tij politik në Shqipëri?!
Në fakt, asgjë e pakutimtë nuk ndodhi atë ditë të fundit të janarit të vitit covidian. Edi Rama kishte furnizuar vetë e me kërkesën e tij Departamentin e Shtetit me akuza gazetash e gazetarësh të oborrit kundër Sali Berishës. Ai ishte iniciatori dhe donatori kryesor i këtij vendimi. Atij i duhej ky vendim me qëllim që të siguronte një vend në historinë e Shqipërisë. Sali Berisha i bënte hije. Rama kishte kuptuar më në fund se me veprat e tij nuk mund të bënte asgjë për historinë e tij. Ndaj do t'i duhej të kopjonte diktatorin Hoxha, për të mohuar parardhësin me shpresën se kësisoj do të shënohej në histori. Rama e thotë vazhdimisht dhe hapur se 'qëllimi është të shënojë histori'! Por zgjodhi dy mekanizma të gabuar për të qenë pjesë e historisë. Eksperienca dëshmon se në histori nuk mund të hysh duke asgjësuar paraardhësit e tu. Dhe gjithashtu historia nuk bëhet me gënjeshtra e mashtrime propagandistike, as edhe me aktivizimin e karteleve të drogës dhe organizatave kriminale për ta bërë Shqipërinë hekur e beton, ndërkohë që e ke shpopulluar atë.
Ndërsa ish-kreu i demokratëve kishte shënuar në historinë e tij të qeverisjes (1992 – 1996) dhe (2005-2013), suksese të padiskutueshme në qeverisjen e vendit. Kishte çuar vendin në NATO, kishte liberalizuar vizat e shqiptarëve dhe de facto kishte marrë statusin e vednit kandidat për në BE. Kishte ndërtuar mijëra km rrugë automobilistike, ndër to edhe Rrugën e Kombit, pa u kërkuar shqiptarëve pagesa me trarë. Kishte bërë reforma në arsim dhe kishte çuar numrin e studentëve në rreth 150 mijë gjithsej. Kishte rritur rrogat e pensionet dhe dyfishuar ato. Por Ramës iu deshën më shumë se 5 vite si kryeministër për ta kuptuar se ishte larg histories! Nëse Berisha i arriti këto suksese historike në tetë vite, Rama nuk ka mundur të bëjë asgjë nga këto për 13-14 vite. Thjesht mori formalisht statusin e vendit kandidat dhe nisi hapjen e kapitujve për pranim në BE.
Kësisoj Rama shpiku luftën hibride kundër paardhësit të tij. Shpresa e vetme ishte të kërkonte ndihmën e miqve të tij amerikanë sorosistë, që të 'deklasonte' Sali Berishën. Ky akt u konfirmua më 19 maj 2021 përmes një vendimi të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken, një njeri i Georg dhe Aleks Sorosit, ndërkohë që këta të dy ishin miqtë më të mirë e më të ngushtë të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Ata u bënë kumbarët e promovimit të Ramës dhe përpjekjeve për rrënimin e dinjitetit, integritetit dhe personalitetit të Sali Berishës.
Më 4 shtator 2026, Sali Berisha udhëtoi për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Është udhëtimi i parë i tij që prej vitit 2010, kur ai ishte kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Por ndryshe nga udhëtimet e Berishës në SHBA të zhvilluara prej marsit të vitit 1991 e deri më sot, ky udhëtim ka një domethënie të veçantë. Kur ai u shpall non grata para pesë vitesh nga sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken askush nuk e mendonte se në këtë fillim shtatori do të rikthehej me ftesë për të marrë pjesë në Kongresin e republikanëve amerikanë. Madje si nën-president i Partive të Djathta të Globit e njëkohësisht si kryetar i opozitës shqiptare. Më 1 qershor të këtij viti Sali Berisha kishte një telefonatë nga ana e të ngarkuarës me Punë të SHBA-ve në Tiranë, përmes së cilës ai u njoftua se sanksionet amerikane kishin rënë. Ai tashmë ishte i lirë të udhëtonte drejt vendit të lirisë. Atë ditë ai hyri në seancën plenare të parlamentit dhe në atmosferën e duartrokitjeve të deputetëve demokratë tha: - Unë erdha!
Por historia e kësaj sfide nuk mbaroi me sanksionimin e Sali Berishës. Pas shpalljes non-grata Sali Berishën u përpoqën ta izolojnë. I pari ishte pasardhësi i tij në Partinë Demokratike, Lulzim Basha, i cili më 9 shtator 2021, pra plot para pesë vitesh, e përjashtoi atë përmes një vendimi personal nga Grupi Parëamentar i PD-së. Arsyeja ishte vendosja e sanksioneve nga Blinken. Prej 19 majit e deri më 9 shtator Lul Basha foli për mbështetje pa rezerva për ish-liderin historik të PD-së. Por pas barit të Juri Kim ai mesa duket u kërcënua me qëllim izolimin e Berishës nga partia që ai kishte themeluar. Ka të dhëna se vetë Lulzim Basha kishte denoncuar të ashtuquajturën ndërhyrje të Berishës në kompetencat dhe detyrën e tij.
Më pas kundërshtarët politikë në pushtet sa herë që ai e merrte fjalën në parlament, thoshin se 'Nuk bisedojmë me një non-grata'! Madje edhe në mars të këtij viti (2026) një nga analistët pranë qeverisë, Spartak Ngjela, i cili dikur ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Berishës, kur në një studio televizive u pyet për liderin demokrat, u përgjigj me arrogancë: - Ç'punë kam unë me non-gratën?! Dhe u largua nga studioja. Poza të tilla, duke denigruar figurën e zotit Berisha kishte marrë gjithmonë kryeministri i Shqipërisë, ish- kryetarja e Parlamentit, Spiropali, Taulant Balla e të deri te Sara Mile, e njohur nga publiku si përfaqësuese e organizatave kriminale në parlamentin e Shqipërisë. Mazhoranca i shfrytëzoi sanksionet ndaj kreut të opozitës me qëllim bojkotin në bashkëpunimin me të. Sanksionet qenë alibia, bllokada e bashkëpunimit mazhorancë-opozitë ishte qëllimi kryesor. Me këtë arsyetim kryeministri i vendit realizoi lehtësisht përqëndrimin në duart e tij të të gjitha pushteteve, përfshirë bërjen e ligjeve për shitjen e Shqipërisë deri të lejet e ndërtimit.
Sali Berisha u përgjigj në mënyrën e tij. Hodhi poshtë të gjitha ato që thuheshin në motivacionin e publikuar për shpalljen e tij non-grata dhe vazhdoi të denoncojë kriminalizimin e shtetit shqiptar. Pajtoi një avokat në Francë, me qëllim që çeshtja të zgjidhej përmes drejtësisë, por gjykata Korreksionale e Francës nuk e pranoi akt-padinë. Edhe ai vetë nuk qe aq optimist, sepse kishte paditur numrin dy të superfuqisë më të madhe të globit, sekretarin Blinken. Përballja me shefin e diplomacisë amerikane nuk ishte punë e lehtë.
Megjithatë Berisha vazhdoi ta akuzojë Blinken se vendimin për sanksionimin e tij e kishte marrë nën ndikimin e Sorosit, Edi Ramës, McGonigal etj. Në të vërtetë McGonigal kishte shërbyer si hartues i dosjes për Departamentin e Shtetit. Ndërkohë që Dalina Fico, ish gruaja e parë e Edi Ramës, kishte punuar me vite për grumbullimin e materialeve. Edi Rama vetë kishte ngarkuar dy juristë, të cilët për dy vite studiuan të gjitha dosjet e qeverisë nën drejtimin e Sali Berishës. Dhe kur këta juristë dështuan të gjejnë shkelje ligjore apo dëshmi për korrupsion, atëherë dosja u ndërtua me akuza në mediet e përditshme.
Në këto kushte Berisha ndërtoi strategjinë e mbrojtjes politike dhe publike. Ai shpalli atë që u quajt Foltore. Gjithçka e ndërtoi me një skemë me të cilën mbronte opozitën dhe njëkohësisht dinjitetin e integritetin e tij personal të nëpërkëmbur me metodat mafioze të kunërshtarëve politikë. Ndërkaq ai vazhdoi të denoncojë narco-shtetin e Edi Ramës. Ishte i pari ndër shqiptarët e jo-shqiptarët që Shqipërinë e Edi Ramës e përcaktoi si narco-shtetin e parë në Europë. Nuk e besonin në fillim as bashkëpunëtorët e tij këtë formulim. Të huajt, kur dëgjonin nga goja e tij akuzën për narco-shtet të regjimit të Edi Ramës, thonin se 'ai bën monolog'. Ndërsa eksponentët e qeverisë e të mazhorancës e kalonin akuzën e Berishës shumë thjesht: 'Nuk i përgjigjemi non-gratës'! Tani, pas gati një dekade, ekzistencën e këtij narco-shteti po e pranojnë vetë shqiptarët, si dhe të huajt. Shqiptarët prej 100 ditësh protestojnë tashmë çdo ditë kundër narco-shtetit të Edi Ramës dhe kundër ligjeve që ai ka bërë me qëllim shitjen copa-copa të Shqipërisë, tokave dhe pasurive të saj.
Në fund të korrikut të vitit 2021 ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Juri Kim, takoi Lulzim Bashën në selinë e PD-së, ndërkaq gazetarëve u deklaroi se demokratët 'do të hanë bar' nëse ata mbështesnin Sali Berishën. Mesazhi ishte i qartë. SHBA-të, sipas Juri Kim, do ta izolonin Partinë Demokratike, nëse ajo mbështet Berishën. Por ish-lideri i demokratëve iu përgjigj me tone kritike. Ai deklaroi se deklarata e ambasadores amerikane është diktat, duke thënë se bari dhe diktati janë e njëjta gjë. Dhe përsëriti se po kërkonte transparencë për vendimin që Blinken kishte marrë kundër tij. Më vonë, sa kohë Juri Kim qëndroi në Shqipëri, ajo ishte nën sulmet e liderit të opozitës, sepse ajo nuk u distancua asnjëherë nga deklarata poshtëruese për demokratët shqiptarë. Ndërkohë që vazhdoi me këmbngulje përkrahjen e saj për narco-shtetin e Edi Ramës.
Foltorja vazhdoi me shumë sukses. U zhvillua në të gjitha qytetet bashki e qarqet e Shqipërisë. Berisha u prit në këto foltore me shumë entusiazëm. Dukej sikur vendimi i Blinken kundër Berishës po bënte efektin e kundërt. Foltorja e ngriti shumë lart imazhin e Sali Berishës, aq sa u krijua një përshtypje se 'Vetëm ai mund ta rrëzonte narco-shtetin e Edi Ramës'. Kësisoj u vunë përballë njëri-tjetrit dy grupet e demokratëve: - Ata që blinduan dyert e Partisë Demokratike nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe ata që mbështetën Sali Berishën. U bënë madje nga të dy palët dy Kuvende të Partisë. Njëri ishte më 11 dhjetor 2021 në stadiumin Air Albania me 20 mijë demokratë , para të cilëve foli Sali Berisha. Në këtë Kuvend u morën vendime të rëndësishme për rithemelimin e Partisë Demokratike, si dhe për funksionimin demokratik të saj. Primaret ishin risia më e dallueshme. Kuvendi tjetër u bë në Pallatin e Kongreseve një javë më vonë, më 18 dhjetor 2021, në një sallë me 2400 vende, por që në përfundim të numrimit të votave thanë se kishin votuar 5004 demokratë anëtarë të Këshillit Kombëtar. Diferenca midis vendeve në sallë dhe votave të numëruara u bë meme e rrjeteve sociale dhe fakt denigrues për kreun e PD-së, Lulzim Basha. Në atë Kuvend diskutuan shumë demokratë që ende ishin në krah të Lulzim Bashës. Ndër ta ishte Grida Duma, e cila i bëri thirrje Bashës 'Na udhëhiq'! Nuk dihet nëse këtë thirrje e bëri në shenjë mos besimi ndaj tij, apo në shenjë vendosmërie për t'i qëndruar në çdo rrethanë pranë atij. Por më vonë Berisha do ta quante Gridën 'Nora Kelmendi e parlamentit shqiptar', kur ajo i tregoi në parlament Ramës së 'aparatin tretës e kishte në tru dhe për këtë shkak organ jashtëqitjeje do të përdorte gojën'!
Kësisoj Berisha nuk u tërhoq. Vazhdoi me këmbëngulje të luftonte për riorganizimin e Partisë Demokratike dhe për mbrojtjen e dinjitetit të tij në përballje me 'të pamundurën'! Vijoi të denonconte çdo ditë aferat e mazhorancës të zhytur në korrupsion në bashkëpunim me rrjetet mafioze dhe kriminale. Në mars të vitit 2022 u bënë zgjedhjet në gjashtë bashki, kryetarët socialistë të të cilave ishin larguar për shkak të aferave kriminale. Berisha dhe Foltorja fituan Bashkinë e Shkodrës. Pa vulë, pa simbole, pa sigël dhe pa fonde të shtetit ata morën 9 herë më shumë vota të elektoratit sesa rivali i tij në parti, Lulzim Basha. Megjithëse Luli kishte bërë fushatë elektorale me vulën dhe siglën e Partisë Demokratike, administroi në dispozicion fondet publike dhe kishte anëtarët e komisionit zgjedhor kudo. Kishte gjithashtu mbështetjen e qeverisë.
Por pavarësisht peshës politike që përfaqësoi, Sali Berisha vazhdoi të izolohet pët shkak të sanksioneve amerikane të sponsorizuara nga qeveria shqiptare. Se ato sanksione ishin sponsorizuar nga Rama dhe shteti shqiptar, këtë e provoi gjithashtu një telefonatë e regjistruar e benjaminit të Ramës, ish-burrit të Belinda Ballukut, Sokol Balla. Ai shprehej asokohe se kishin lënë lesht për ta shpallur non-grata Sali Berishën, duke nënkuptuar paratë e harxhuara për këtë qëllim. Por një rol shumë të rëndësishëm kishte dhënë në këtë proces edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai udhëtoi së paku një herë në muaj në drejtim të Uashingtonit për të bindur miqtë e tij të Sorosit që ata të angazhoheshin në marrjen e vendimit përkatës.
Pavarësisht të gjithave, kreu i Partisë Demokratike vazhdoi të mbetej i izoluar. Diplomatët e huaj nuk e takonin. Partnerët e miqtë e tij ndërkombëtarë bënë indiferentin. Ndërsa qeveria britanike aplikoi sanksionet e njëjta me ato të SHBA-ve. Berisha akuzoi ambasadorin britanik në Tiranë se ai ishte aktiv në akuzat dhe raportimet e falsifikuara për qeverinë e tij në adresë të tij. Fatkeqësisht edhe politikanët e Kosovës nuk u panë më në zyrën e tij. Të gjithë kishin frikë. Jo aq shumë frikë pse ai ishte shpallur non-grata, sa për faktin se Sali Berisha iu kundërvu publikisht zotit Blinken dhe miqve të tij kudo që ishin për vendimin që kishin marrë.
Në këto kushte, për mbrojtjen e dinjitetit dhe integritetit të tij, Sali Berisha i kërkoi Blinken që të publikonte qoftë edhe një fakt të vetëm, me të cilin të provonte arsyetimin e tij të sanksioneve lidhur me korrupsionin apo cënimin e interesave amerikane. Por përgjigja e diplomatëve amerikanë ishte standarde 'Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë informacione konfenciale dhe nuk i publikojnë ato'! Konfidencializmi u përdor si justifikim për shpifjet kundër Berishës. Ndërkaq kreu demokrat pranoi vetëm një 'faj', atë se kishte raguar ashpër kundër projektit serb të ndarjes së Kosovës dhe për këtë kishte ndikuar edhe te lidershipi i kosovar, me të cilët ai asokohe u takua takuar. Në të njëjtën kohë thoshte nëse kjo ishte cënim i interesave amerikane, atëherë përsëriste se sërishmi do të luftonte për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës.
Sikur të mos mjaftonte izolimi i tillë, për Sali Berishën u planifikua dhe u realizua më pas masa e arrestit në shtëpi. Ishte koha kur ai kishte marrë selinë e partisë, por ende jo vulën, siglën dhe simbolet e saj. Nga data 30 dhjetor 2023 e deri më 27 nëntor 2024, për 333 ditë radhazi, Berisha qëndroi i izoluar në shtëpinë e tij aty te Rruga 'Mustafa Metohiti', e cila ato ditë mori emrin e dytë rë saj si 'Rruga e shpresës'! Çdo mbrëmje të atyre 333 ditëve ai mbajti nga ballkoni i shtëpisë së tij fjalimin përkatës para mbështetësve demokratë dhe opotzitarë. Ky ritual nuk u ndërpre asnjë natë. Kësisoj Berisha e shndërroi ballkonin e shtëpisë së tij në një ballkon foltorjeje.
SPAK-u kishte ndaluar çdo komunikim dhe takim të zotit Berisha. Ishte kjo një masë thellësisht politike, sepse ai kësisoj privohej nga ushtrimi i detyrës si kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe i opozitës shqiptare. Megjithatë atë e vizituan disa miq të tij nga Gjermania, Kosova, Turqia etj. Në fjalimet që mbajti nga ballkoni ai vazhdimisht mohoi çdo akuzë të montuar kundër tij nga ana e SPAK si dhe dënoi vazhdimisht vendimin e Blinken për shpalljen non-grata. Njëkohësisht denoncoi aferat korruptive dhe të lidhjeve me kartelet mafioze të drogës e të organizatave kriminale të kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. Ishte një situatë, të cilën askush nuk do të mund ta përballonte. Por Berisha ishte sfiduar dhe kishte sfiduar edhe më parë. Edhe kësaj radhe ai, megjithëse në moshë, e fitoi betejën e tij.
Megjithatë hetimet për akuzën për korrupsion vazhduan. Kreu demokrat vazhdoi të paraqitet dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji, në Prokurorinë e Posaçme. E vërteta është se prokurorët asnjëherë nuk mundën të përballen me të. Paraqitja në prokurori u viu si masë politike dhe pati për qëllim 'diskreditimin' e njeriut të fuqishëm të politikës shqiptare. Por çfarë ndodhi? Në secilën paraqitje Sali Berisha publikoi çdo rast skandalet e prokurorëve dhe gjyqtarëve të SPAK, si dhe denoncoi aferat e qeverisë Rama. Nga i akuzuar gjithnjë e përdori edhe oborrin e SPAK si foltore për të denoncuar mafien dhe krimin e organizuar në pushtet. Kjo e bëri atë nga të akuzuar në akuzues.
Ndërkohë gjyqi ndaj Sali Berishës vijon akoma. Ky gjyq është motivuar nga një fakt i çuditshëm. Kur ai ishte kryeministër reformoi sistemin ligjor të kthimit dhe të kompensimit të pronave për ish-pronarët. Ishte ky edhe një premtim elektoral. Por qëlloi që në mesin dhjetëra mijë ish-pronarëve të përfitonte të drejtën e pronës edhe dhëndërri i tij, Jamarbër Maltezi. Ky i fundit kishte kthyer pronën dhe e kishte rivitalizuar atë. Megjithëse procesi i kthimit të kësaj prone ishte nënshkruar nga ish-kreu i Bashkisë së Tiranës, sot kryeministër i vendit, Edi Rama, prokuroria shpalli akuzën për korrupsion ndaj Sali Berishës për shkak të ligjit për kthimin e pronave, të cilin ai e kishte inicuar në parlament. Ekspertë, të cilët janë kundërshtarë të Berishës dhe nuk e kanë votuar atë asnjëherë, më kanë thënë se kjo akuzë do të mbetet si njollë turpi në historinë e drejtësisë shqiptare. Sepse nuk ndodh kurrë që një ligj i parlamentit ose një vendim i përbashkët i qeevrisë së kujtdo qoftë të shërbejë si provë për akuza e aq më pak për të dënuar zyrtarët e shtetit.
Megjithatë sot Sali Berisha gjendet në New York dhe nesër e për pak ditë do të jetë në Dallos të Teksasit në SHBA, i rehabilituar plotësisht nga akuza e sanksioneve të Antony Blinken. Në Dallas ai për dy ditë do të jetë i ftuar në Konventën e Partisë Republikane të SHBA-së, në të cilën merr pjesë edhe presidenti amerikan, Donald Trump, dhe të gjithë zyratët e lartë të administratës së tij. Kjo shënon fitoren historike personale e politike të tij. Që në fillim kreu demokrat i Shqipërisë e sfidoi sekretarin amerikan të Shtetit. Ndërsa këto ditë po shijon fitoren në këtë përballje titanikësh. Në aeroportin e New Yorkut ai u prit nga shumë shqiptaro-amerikanë. Këta shtruan një darkë të përzemërt për të. Ndërsa më 6 shtator në orën 16.00 me orën europiane, Sali Berisha zhvilloi foltoren e tij me shqiptarët që jetojnë, punojnë dhe banojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rrallë herë ka ndodhur të pritet ndonjë lider shqiptar me kaq entusiazëm në SHBA.
Të gjithë kundërshtarët e Sali Berishës, madje edhe diplomatë amerikanë, si Gabriel Escobar, kishin dekaruar publikisht në medie se 'Nuk ka e nuk do të ketë kurrë asnjë shans që atij t'i hiqej non-grata'! Atëherë thosha dhe tashmë të gjithë e thonë se këto deklarata qenë në funksion të trembjes dhe presionit kundër mbështetësve të Sali Berishës. Faktori themelor i kthimit të së drejtës ishte vetë lideri historik i Partisë Demokratike, Berisha. Ai nuk u dorëzua. Qëndroi fort. Ndoqi të gjitha rrugët që çuan në fitoren e tij. Mbrojti me guxim të pashembullt dinjitetin e tij. Duke mbrojtur dinjitetin, ai mbrojti gjithashtu Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare. Madje besoj shumë se mbrojti edhe nderin e Shqipërisë. Këtë mbrojtje kundërshtarët e klasifikuan si 'problem personal të Sali Berishës'! Në fakt ishte dhe është krejt ndryshe. Ai nuk u sanksionua si person. Nëse nuk do të merrej me politikë dhe nëse nuk do të denonconte çdo ditë e çdo orë narco-shtetin shqiptar dhe aferat e Edi Ramë, si dhe bashkëpunimin e tij me presidentin e Serbisë, ai nuk do të ishte sanksionuar. Kjo do të thotë se asgjë personale nuk ka as në sanksionimin, as në heqjen e sanksioneve për Sali Berishën. Gjithçka është dhe do të mbetet interes publik me theks të plotë politik.
Mbështetja e demokratëve është faktori tjetër kryesor që e çoi sot Sali Berishën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në debatin e zhvilluar për sanksionet ndaj Berishës ne që ishim të bindur për heqjen e non-gratës përdorëm argumentet tona. Kryesorja lidhet me faktin se Amerika është me shumë pamje, me shumë ngjyra. Psh para dy ditësh Grennell përshëndeste gjashtë deputetët e LDK-së që bllokuan votimin e presidentit të vendit dhe thoshte se ata 'janë miq të Amerikës'! Po të jesh mik i një amerikani të njohur e prominent, atëherë sipas këtij modeli, je mik i Amerikës. Ky model miqësie është i gabuar. Miku i të Zotit të Shtëpisë është e duhet të jetë mik i të gjithë anëtarëve të familjes. Demokratët e Sorosit përdorën standardin bolshevik, sipas të cilit, nëse je me mua je miku im. Në të kundërtën je armiku im. Këtë formulë e aplikon lryeministri Rama, kur thërret në zyrën e tij ata të cilëve nuk u beson dhe u thotë: - Ose me mua, ose përballë meje!
Fatkeqësisht, historia jonë 36 vjeçare post komuniste ka dëshmuar se Amerika është së paku dy blloqesh. Sali Berisha na e provon këtë. Kur ishte në pushtet republikani Georg S. Bush, Berisha ishte i preferuari i tij. Me kërkesë të Berishës ai mori në mbrojtje Shqipërinë dhe Kosovën. Shqipërisë i dha statusin e kombit te favorizuar në marrëdhnëniet me SHBA-të. Për Kosovën shpalli vijën e kuqe, duke i dërguar mesazh të qartë Milosheviçit se Amerika nuk lejon një masakër ose spastrimin etnik të saj. Kur erdhi në pushtet Bill Clinton, ai bëri mrekullinë për Kosovën, por edhe goditi ashpër Sali Berishën dhe vetë Shqipërinë, duke përkrahur socialistët shqiptarë. Dhe kur erdhi në pushtet Georg W. Bush, ai mbështeti ardhjen në pushtet të Sali Berishës. E vizitoi Shqipërinë dhe gjatë asaj vizite me kërkesë të kryeministrit Berisha shpalli në Tiranë pavarësinë e Kosovës, duke thënë: - Mjaft është mjaft! Bush e anëtarësoi gjithashtu Shqipërinë në NATO. Pra kishim në këtë rast një Amerikë pro Sali Berishës e madje e quante atë të preferuain e saj.
Por sërishmi ndryshoi qeverisja dhe pushtetin e morën demokratët. Dhe sërishmi ata iu kundërvunë Sali Berishës, derisa në maj të vitit 2021 e shpallën non-grata. Në vitin 2024 president i SHBA-ve u zgjodh republikani Donald Trump. Ndryshimi me rrotacion i qeverisë amerikane krijoi përsëri klimën e përshtatshme për rehabilitimin e Sali Berishës dhe heqjen e sanksioneve. Kapërcimi nga miqësia e ngushtë e madje e spikatur te shpallja e sanksioneve ishte paradoksi më i madh që ka ndodh në raportet amerikane me një lider jashtë SHBA-ve, siç ka ndodhur me Sali Berishën. Ky kapërcim e bind edhe skeptikun më të madh se në Amerikë miqtë bëhen me lobingje dhe armiqtë shpallen gjithashtu me lobingje. Lobingu i qeverisë shqiptare përmes Georg dhe Alex Sorosit ishte shkaku kryesor i shpalljes non-grata të tij e për pasojë do të pritej që kjo non-grata të hiqej.
Këto ditë makineria e propagandës sorosiste dhe qeveritare është mobilizuar të hedhë sërishmi hije mbi këtë vizitë. Disa pyesin se çfarë shënimi të veçantë ka në vizën e kreut të Partisë Demokratike. Të tjerë e komentuan si vizë me një kalim. Dhe nuk munguan edhe propagandistë që përdorën shpifje të karakterit se FBI mund të ketë punë me Sali Berishën. Çfarë nuk u shkrua dhe nuk u tha nga altoporlantët e Edi Ramës këto ditë. Dëshmitarët që shoqërojnë liderin demokrat në SHBA sqaruan në fakt se vizita është krejt politike. Se viza është dhënë për pesë vite dhe me shumë hyrje e dalje dhe se asgjë nuk përkon me dëshirat për rikthim të sanksioneve. Edi Rama nuk do ta ketë më një jetë aq të gjatë politike sa t'i rikthejë këto sanksione!Prof. Dr. Enver Bytyçicomment
Për komente lëvizni më poshtë
(0)Comments