Evdal Nuri
Të ulesh e të pish një kafe është një nga ritualet më të dashura të shqiptarëve. Fillon që në orën 6:00 dhe vazhdon deri në orën 24:00. Një ose dy kafe në ditë, shpesh të shoqëruara me orë të gjata bisedash, janë pjesë e pandarë e jetës sonë sociale. Kudo sheh kafene të tejmbushura. E sot, në Tiranë, edhe një kafe e zakonshme në një nga lokalet buzë rrugës mund të kthehet në një dëshmi të drejtpërdrejtë të ndotjes së mjedisit.
Trafiku i rënduar dhe makinat e vjetruara
Numri i lartë i automjeteve dhe bllokimet e rrugëve rrisin nivelin e gazrave toksikë. Raporti evidenton se parametri më problematik gjatë monitorimit është dioksidi i azotit (NO₂), i cili në disa zona të qytetit rezulton deri në 3 herë mbi normat e përcaktuara nga Bashkimi Europian dhe mbi 4 herë mbi normat e rekomanduara. Parku i automjeteve në Shqipëri ka një moshë mesatare rreth 20 vjeç, krahasuar me 10.2 vjet që është mosha mesatare në Bashkimin Europian. Tirana është qyteti më i ndotur dhe më i pajetueshëm, referuar indeksit të ndotjes të Numbeo-s. Organizata e njohur ka rifreskuar të dhënat e saj lidhur me indeksin e ndotjes në 78 qytete dhe kryeqytete të Europës. Nga këto të dhëna rezulton se Tirana është qyteti me ndotjen më të madhe. Përkeqësimi i nivelit të ndotjes në Tiranë sjell edhe uljen e cilësisë së jetës dhe shtimin e vdekjeve të parakohshme për ata që jetojnë në kryeqytet. Ndotja e ajrit është një çështje madhore mjedisore në kryeqytetin e Shqipërisë. Qyteti më i mbipopulluar i vendit përballet me shumë problematika shqetësuese lidhur me cilësinë e ajrit.
Transporti publik i vjetëruar.!
Përveç karburanteve që janë të një cilësie të dobët, problemit i shtohen edhe makinat e vjetra. Në autobusë të zihet fryma, ndërsa mijëra qytetarë e kalojnë pjesën më të madhe të ditës së tyre të mbërthyer në trafik, duke refuzuar të lënë makinat e tyre për metoda më të favorshme dhe më efikase transporti për mjedisin. Këto ditë, shërbimi urban njoftoi se do të pakësojë deri në 30% numrin e autobusëve. Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur, por edhe cilësia e saj është e dobët. Kjo sjell dëmtimin e motorëve të makinave dhe vështirësi në kalimin e kontrollit teknik vjetor.
Tirana e kthyer në 'kosh plehrash'.
Kjo është panorama e kryeqytetit.
Në çdo lagje, koshat janë tejmbushur dhe plehrat kanë zënë trotuaret. Në çdo cep të Tiranës, mbeturinat janë përhapur në rrugë dhe kundërmon erë e keqe. Përveçse një shqetësim, ato janë kthyer në një rrezik për shëndetin e qytetarëve. Këtë situatë të rënduar ka muaj që po e jetojmë. Mbeturinat pastrohen vetëm në qendër. Koshat pastrohen, por mbeturinat jashtë tyre i gjen me javë të tëra të patrajtuara. Shqetësim tjetër është gjendja e trotuareve. Ato janë me gropa dhe pllakat janë të paniveluara. Çdo ditë rrëzohen njerëz, sidomos të moshuar, me pasoja si fraktura dhe dëmtime të rënda. Pluhuri nga ndërtimet e shumta ndot ajrin në çdo lagje. Një numër i paprecedentë pallatesh të ndërtuara dhe në ndërtim ka zvogëluar ndjeshëm sipërfaqet e gjelbra. Problematik është edhe niveli i ndotjes në zona si 'Qyteti Studenti', Rruga e Dibrës dhe zona e Medresesë, 'Ali Demi', '21 Dhjetori' dhe 'Zogu i Zi'. Këto janë ndër zonat më të ndjeshme për cilësinë e ajrit në kryeqytet, ku grimcat e pluhurit dhe dioksidi i karbonit tejkalojnë normat e Bashkimit Europian.
Tirana, kantier ndërtimi
Leje ndërtimi për ndërtesa të reja si asnjëherë tjetër!
Në total, për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, janë arkëtuar nga 'taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja', në të gjithë vendin, 18.3 miliardë lekë, ose tre herë më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë (+200%). Shqipëria ka peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë, me 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Mbi 45 mijë apartamente në Tiranë rezultojnë bosh, ndërsa çmimet e banesave janë bërë të papërballueshme për familjet. Te fusha 'Ali Demi' ka muaj që ka filluar ndërtimi i një kompleksi sportiv. Gjatë gjithë ditës, makineri të rënda marrin dhe sjellin materiale. Zhurma është e papërballueshme. Pjesërisht është marrë sipërfaqe nga fusha. Fëmijët kanë shkruar: 'Edhe fushën ku luanim na e morët!'. Në janar-qershor jepen pesëfish më shumë leje për ndërtime rekord, me vlerë 1.6 miliardë euro. Nëse mendoni se Tirana dhe bregdeti janë mbingarkuar me ndërtime, nuk keni parë gjë akoma. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat që mblidhen nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja kanë shënuar një rritje rekord në gjashtë muajt e parë të vitit. Në vitin 2016, buxheti i shtetit arkëtoi në janar-shkurt vetëm 681 milionë lekë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa në vitin 2026 kjo shifër është 16 herë më e lartë. Kudo në Tiranë, në periferi dhe në qendër, ndeshesh me kullat e reja që po ngrihen në çdo hapësirë të lirë të gjelbër. Këto ndërtime ndikojnë negativisht në shëndetin tonë dhe në cilësinë e jetës së qytetarëve. Agjencia Kombëtare e Mjedisit, si institucioni kompetent për matjen e cilësisë së ajrit dhe informimin e publikut, publikon çdo vit raportet e gjendjes së mjedisit. Ndotësit e pranishëm në ajër janë ndër burimet kryesore të një sërë sëmundjesh që mund të çojnë në vdekje të parakohshme. Duke marrë parasysh se në Tiranë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit janë transporti dhe aktivitetet ndërtuese, këto janë kthyer në burime kryesore të një sërë sëmundjesh që mund të çojnë në vdekje të parakohshme të banorëve që jetojnë në këto ambiente.
(0)Comments